2.1 milionë euro i ikën buxhetit të shtetit për blerje energjie edhe pse nuk ka më asnjë krizë energjetike. Vetëm për datat nga 1 deri më 7 korrik, çmimi i tregtimit të energjisë në bursë ka qenë mestarisht 87 euro/kWh, ndërsa KESH ka hapur ofertat për blerjen e energjisë elektrike me çmim prej 108 euro për kilovat orë.
Ky çmim nuk është i justifikueshëm në një kohë kur vetëm pak ditë më parë vendi pati reshje të dendura shiu, ndërsa Shqipëria prej vitesh tanimë e ka të mundur mbulimin e mbarë territorit në masën 97% me energji të prodhuar në vend.
Kujtojmë se Shqipëria investoi në ndërtimin e bursës Shqiptare ALPEX 2.2 mln euro e cila ende nuk përdoret. Gjithnjë është marrë si referencë bursa hungareze HUPX por tanimë tenderat po zhvillohen jashtë bursës duke përdorur një platformë të fshehtë. KESH po përdor një sistem të brendshëm, “treding” i cili nuk i lejon askujt akses duke e thelluar edhe më tej mungesën e llogaridhënies për paratë publike.
Kësisoj, blerjet me çmime të tilla i rrisin edhe më tej gropat e shkaktuara në buxhetin e shtetit përmes borxheve nga KESH. Më konkretisht, me çmimin që ka blerë KESH në energjinë në platforma të panjohura, me çmim 108 euro për kilovat orë, janë shpenzuar 2,111,135.04 euro. Ndërsa po të blihej me çmimin e referencës së HUPX prej 87 euro/kWh që ishte çmimi mesatar i datës 28 qershor kur u realizua ky furnizim me energji elektrike do të shpenzoheshin 1,712,995.2 euro. Pra, plot 400 mijë euro diferencë, të cilat ikin në drejtim të paditur. Duhet të sjellim në vëmendje se nëse shkëmbimi i energjisë elektrike do të realizohej në bursën shqiptare ALPEX, vlera totale e paguar do të duhej të ishte shumë herë më e ulët se kaq.
Për më tepër, tanimë KESH nuk bën të ditur as kompanitë fituese që kanë furnizuar vendin me energji elektrike, duke “minuar” llogaridhënien publike. Auditet e KLSH të publikuara për vitet e mëparshme për OSHEE dhe KESH kanë zbardhur shifra miliona euro lidhur me humbjet jo teknike të cilat janë vjedhjet.
Kujtojmë se pak muaj më parë, News24 dëshmoi me prova dhe fakte se si trekëndëshi KESH-OSHEE-OST kanë keqpërdorur paratë publike. Ish-drejtori i KESH, Ergys Verdho pasi vjedh energjinë elektrike në banesën e tij, jo vetëm që nuk është ndëshkuar, por është rritur në detyrë duke u transferuar tashmë në krye të Hekurudhës shqiptare.
Në vendin e tij u emërua anëtari i Forumit Rinor të PS, Erlind Sulo, një 30-vjeçar pa eksperiencë në administrimin e parave publike. I besuari i ri i ministres së Energjetikës, Belinda Balluku e cila kryeson një nga dikasteret që kontrollon pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit, duket se po i zbaton “detyrat” me përpikmëri.
Ndërkohë, vetë KESH “gllabëron” nga buxheti i shtetit në formë financimi 16% të GDP, si asnjë sektor tjetër në vend.
()