Mashtrimi me kreditë, si bien në “rrjetën” e institucioneve të mikrokredive qytetarët/ Historia e Zef Susajt

Emisioni Në Shënjestër në News24, i gazetares, Klodiana Lala, ka trajtuar historitë e mashtrimit me kreditë që jepen nga institucionet e mikrokredive. Në emision u trajtua rasti i Pal Trashajt, historianit që u vetëflijua në dyert e SPAK, ndërsa më poshtë do të njiheni me rastin e Zef Susajt.

Kjo është një tjetër histori mashtrimi se si institucionet e dhënies së mikrokredive në Shqipëri, të cilët japin hua dhe mbledhin borxhe të këqija të angazhuara nga banka të nivelit të dytë, jo vetëm skllavërojnë deri në pikën e fundit të gjakut këta kreditorë, por edhe u falsifikojnë firmat në kontrata.

Duke i detyruar më pas të enden dyerve të gjykatave në kërkim të drejtësisë.

Zef Susaj është një nga të shumtët qytetarë në Shqipëri që ka rënë pre e mashtrimit nga institucionet e dhënies së mikrokredive.

Në vitin 2004 au iu drejtua Partneritetit Shqiptar për Mikrokredi, shoqërisë NOA, ku lidhi një kotnratë huamarrje me një afat maturimi deri në vitin 2006.

Ku dorëzanës në këtë kontratë ai kishte edhe 3 shtetas të tjerë, konkretisht Prenda dhe Fatbardha Ukcama dhe Artur Malo.

Por ndërsa lidhi këtë kontratë huamarrëse dhe ishte drejt kësteve të fundit të shlyerjes, Zef Susaj tha për grupin hetues, se një nga analistet e bankës ku kishte marrë kredinë, i kishte ofruar një kredi tjetër me një përqindje më të ulët.

Të cilën ai e kishte pëlqyer si ofertë dhe e kishte pranuar, por pa e ditur se kjo kredi do të ishte fillimi i kalvarit të tij me këtë institucion mikrokreditor.

Zef Susaj

Më datë 8 Shtator 2004 unë kam nënshkruar me ‘PSHM’. Partneriteti Shqiptar për Mikrokredi sh.a (NOA) një kontratë kredie e cila mban datën 8 Shtator 2004 dhe që kishte si maturim datën 8 Mars 2006.

Kontrata e huasë u sigurua me barrë hipotekore, ku dorëzanës ishin Prenda Ukcama, Fatbardha Ukcama dhe Artur Malo.

Kredi e cila rezulton e kthyer në masën 100 përqind, siç vihet re edhe nga dokumentacioni i shoqërisë huadhënëse.

Por disa muaj para mbylljes së huasë, njëra nga analistet e kredisë së kësaj shoqërie financiare, më ofroi një kredi tjetër me premtimin që të jetë më e madhe në vlerë, me shtrirje më të gjatë në kohë dhe me përqindje më të vogël interesi, me kusht që të shlyej pjesën e mbetur të kredisë së parë.

Unë e pranova këtë ofertë, por duke i thënë analistes që në këtë rast, ndryshe nga i pari, më mungojnë dorëzanësit.

Por ajo mu përgjigj se nuk ka problem pasi do të shënojmë dhe shtojmë kolateralin me mjetet e punës të biznesit të blera nga kredia e mëparshme dhe ato që kisha më parë duke përfshirë këtu edhe furgonin ‘Mercedes Benz’ me vlerë përafërsisht të barabartë me kredinë e dytë që mora.

Por ndërsa mori këtë kredi të dytë Zef Susaj, thotë se u përball me problemin e parë.

Pasi ndryshe nga sa iu tha nga analistja, kontrata rezultoi të ishte në terma të ndryshme, aspak favorizuese.

Madje për të mos thënë me kushte shlyerje edhe më rënduese për të.

Zef Susaj

Unë e mora huanë, por kjo kredi ishte në shkelje të të gjitha premtimeve që më ishin bërë. Pasi kredia në vlerën 6 milionë lekë të vjetra ishte me normë interesi 24 përqind, ashtu si edhe e mëparshmja dhe shtrirjen e afatit kohor e kishte 20 muaj.

Pra vetëm 2 muaj më e gjatë se kredia e mëparshme.

Por disa muaj pas shlyerjes së kredisë së parë, kësti i kredisë së dytë mu rrit me 50 përqind.

Pra kredia e dytë nuk shërbeu për forcimin e biznesit, përkundrazi, erdhi një moment kur analistja e kredisë me anë të disa llogaritjeve në përqindje të interesit, tentoi të më grabiste një shumë 2 herë më të madhe sesa detyrimi financiar ligjor i llogaritur.

Por ndërsa mendoi se në vitin 2006 i lau duart me shoqërinë mikrokreditore, Zef Susaj tregoi se shumë vite më vonë në vitin 2022, te ai trokiti Artur Malo.

I cili kishte qenë dorëzanë në kredinë e parë që miku i tij kishte marrë, por jo në të dytën.

Malo që i kishte rrëfyer i shqetësuar se te ai kishte mbërritur një përmbarues nga një institucion mikrokredie.

Zef Susaj

Kontrata e kësaj kredie mban datën 28 Shtator 2005. Nga fillimi i vitit 2006 dhe në vazhdim nuk patëm asnjë kontakt me kreditorin. Por në vitin 2022 unë u njoftova nga shtetasi Artur Malo se kjo kontratë është në ekzekutim nga përmbaruesi gjyqësor Fatos Alimadhi me kreditor Microkredit Albania.

Ku unë isha i paqartë për këtë situatë, pasi kredia në shumën 600 000 lekë ishte firmosur vetëm nga unë dhe nuk kishte asnjë dorëzanës. Ndërsa kredia ku dorëzanës kishte qenë Artur Malo ishte likuiduar tërësisht.

Por ndërsa ishte i sigurtë se Artur Malo nuk kishte lidhje me kredinë e dytë dhe ishte përfshirë në mënyrë të pakuptimtë në këtë histori nga Micro Credit Albania, që kishte marrë përsipër huanë e pashlyer, ajo që ndodh më tej është një nga shumë historitë dhe format grabitqare se si këto institucione, i trajtojnë kreditorët.

Ku Zef Susaj mësoi se Micro Credit Albania, jo vetëm i kishte bllokuar pasuritë Artur Malos, por edhe ia kishte nxjerrë në ankand.

Zef Susaj

Pasi unë u paraqita pranë zyrave të MicroCredit Albania, ku kërkova dokumentet përkatëse titull ekzekutiv dhe kopje Urdhri Ekzekutimi, të cilët nuk mu vendosën në dispozicion, më datë 29 Mars 2023 unë mora dijeni me anë të një shkrese shkrese se është bërë ‘Shpallje për shitjen e sendit të paluajtshëm në ankand nga një përmbarues, për një pasuri të paluajtshme të ndodhur në Kamëz. Po ashtu rezulton se ky përmbarues kishte kryer disa bllokime për pasuritë e Artur Malo, konkretisht llogari bankare dhe sekuestro mbi pasurinë e paluajtshme.

Do të ishte pikërisht ky bllokim në mënyrë të padrejtë i pasurive të dorëzanit të tij në kredinë e parë, që do të çonte Zef Susaj, drejt kërkimeve të tjera.

Kjo edhe për arsyen pasi Banka e Shqipërisë në mënyrë të habitshme, edhe pse e ka tagër ligjor, sipas tij nuk i vendosi në dispozicion dokumentet e huasë që ai kishte marrë.

Aty ku mund të vërtetohej nëse Artur Malo, ishte apo jo dorëzanë në kredinë e dytë, që kishte shërbyer si pretekst nga MicroCredit Albania dhe përmbaruesit e saj për t’i bllokuar pasuritë dhe llogaritë. Dhe më keq akoma tia nxirrnin edhe në ankand për shitje.

Zef Susaj

I gjendur në këtë situatë absurde, ne kërkuam marrjen e të gjitha akteve për të provuar falsifikimin e kontratës së huasë.

Po kështu kërkuam edhe dosjen e kontratës së huasë dhe urdhrit të ekzekutimit që ishte lëshuar nga Gjykata Tiranë.

Ku kërkuam shkresërisht edhe pranë Bankës së Shqipërisë këtë akt, i cili nuk na u vu në dispozicion.

Nga ku doli se kontrata e vitit 2004 ishte zhdukur me qëllim nga persona që kishin pasur interes për ta kryer një gjë të tillë.

Si dhe urdhri i ekzekutimit nr.1107 datë 29 Qershor 2007 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ishte marrë pa praninë time mbështetur në të dhëna të manipuluara dhe mbi kontratë të falsifikuar nga shoqëria financuese PSHM sha pasi në këtë kontratë nuk kanë firmosur dorëzanës siç theksova dhe më sipër.

Ndërkohë që kontrata e paraqitur në gjykatë nga ana e PSHM-së prezupozonte kredi me bazë sigurie dorëzanë, ku si dorëzanë ishin vendosur në mënyrë antiligjore dorëzanët e kredisë së parë.

Pra kontrata e dytë nuk ishte gjë tjetër veçse kontrata e kredisë së parë, tashmë me datë të ndryshuar.

Por ajo që është edhe më skandaloze është se Gjykata Tiranë ka dhënë një vendim pa marrë në pyetje vetë ata që institucioni i mrikrokredisë i kishte vendosur dorëzanë.

Ku njëra prej tyre del se nuk ishte në Shqipëri gjatë kohës që zhvillohej gjyqi.

Zef Susaj

Ajo që dua të theksoj është se në kontratën e dytë të kredisë që unë kam lidhur me PMSH, me vlerë 6 milionë lekë, asnjë nga dorëzanët jo vetëm nuk kanë firmosur, por as nuk janë pyetur nga ana e shoqërisë huadhënëse. 

Çka për mua vendosja e emrave të tyre është është falsifikim i kontratës.

Po kështu në Gjykatë, del sikur unë i kam hua PMSH, shumën e kredisë në vlerën 304 734 lekë. Dhe se nga unë nuk janë respektuar kushtet e kontratës duke mos e shlyer kredinë e marrë.

Por kjo nuk është e vërtetë. Pasi vlera e kredisë së parë është 600.000 lekë të reja. Pra PMSH duke mohuar para gjyqtarit pjesën e kredisë së paguar deri në atë moment nga ana ime, dhe duke i fshehur pjesën e mbetur, e ka bërë këtë gjë me qëllim për të shtuar mbi këtë të fundit sipas dëshirës kamata e gjoba, dhe për ta shtuar atë deri në masën e dëshirueshme nga ana e tyre, pra duke mohuar të vërtetën e shumës së pashlyer.

Kjo shkelje bëhet më e rëndë kur në këtë datë rezulton se dorëzanësja Fatbardha Ukcama nuk ka qenë në Shqipëri, por në Belgjikë si emigrante ilegale në atë kohë.

Ndërkohë që po të shihen me kujdes firmat e palëve, te njëra prej tyre, ajo që është firma e Artur Malos ka një gabim të vogël të cilin e ka nënshkruar në vitin 2004.

Dhe nëse krahasohen kontratat vërtetohet se janë falsifikuar dhe kjo është arsyeja që kjo kontratë është zhdukur qëllimisht.

Por Zef Susaj nuk është qytetari i vetëm dhe as i fundit i mashtruar dhe grabitur në këtë formë nga institucionet e mikrokredive.

Kristo Puleshi është një tjetër qytetar i paraqitur pranë Prokurorisë Tiranë, me të njëjtin shqetësim.

I cili edhe ky denoncoi falsifikimin e nënshkrimit të tij në një kontratë huaje, e cila mbante datën 16 Dhjetor 2005.

Kontratë ku sipas shoqërisë tregtare ‘Partneri shqiptar në mikrokredi’ (PSHM), Kristo Puleshi, dilte se ishte dorëzanë i shtetasit Ermal Emini.

Por që si dorëzani ashtu edhe kredimarrësi i pretenduar, mohonin që të kishin hedhur firmën në një kontratë të tillë.

Kristo Puleshi

Rreth vitit 2016, në adresën time erdhën disa shkresa ku më lajmëronin se isha dorëzanë i një mikrokredie në shumën 30 mijë lekë, që pretendohej se ishte marrë datë 16 Dhjetor 2005 pranë Shoqërisë ‘Partneri shqiptar në mikrokredi’ (PSHM), nga shtetasi Ermal Emini.

Por duke qenë se shkresat vinin me gjeneralitete Kristo Ismet Puleshi, kur babai im quhet Miltiadh, unë vendosa të mos i jap rëndësi.

Por duke qenë se shkresat vazhdonin të vinin, më vitin 2017 unë shkova u interesova pranë zyrave të ADCA (Albanian Debt Collection Agency), e cila ndodhet në Qendrën e Biznesit ‘STAR’, Bulevardi ‘Zogu I’.

Aty ku një punonjëse më vendosi një fotokopje të kontratës së huamarrjes, ku një shtetas me gjeneralitet Kristo Ismet Puleshi figuronte dorëzanës në një kredi të marrë nga shtetasi Ermal Muharrem Emini.

Aty ku unë pashë që emri, mbiemri dhe nënshkrimi ishin të falsifikuara

Ashtu si edhe emri i babait që në kontratë ishte ‘Ismet’, ndërkohë që babai im quhet ‘Miltiadh’.

Por edhe pse u mundua që ti shpjegojë punonjëses së zyrës së mikrokredisë, që kishin ngatërruar person, shkresat nuk munguan të vinin në adresë të tij edhe në vazhdim.

Ku për këtë arsye, ai u detyrua të takohej edhe me shtetasin Ermal Emini, që figuronte si kredimarrës në këtë kontratë.

Me të cilin ata janë shokë.

Por ku Ermali i kishte mohuar që të kishte marrë këtë kredi.

Dhe po kështu se emri, mbiemri dhe nëshkrimi (Ermal Emini), nuk janë shkruar dhe nënshkruar nga ai, por ishin të falsifikuar.

Hetimet

Në muajin Tetor 2022, shtetasit Kristo Puleshi i ka shkuar një zarf

nga përmbaruesi ligjor Fatos Alimadhi, sipas së cilës është vendosur sekuestro mbi pasurinë e paluajtshme (apartament banimi), në të cilën ai jeton së bashku me bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët. Këtë apartament e ka me kredi pranë një banke të cilën e paguaj rregullisht.

Të njëjtat pretendime Kristo Puleshi i paraqiti edhe përpara oficerëve të policisë gjyqësore. Ku ai vazhdoi ti qëndrojë thënieve të tij se ai nuk kishte qenë dorëzanë në kontratën e huasë të pretenduar nga MicroCredit Albania. Ashtu si edhe kreditori Ermal Emini, i cili edhe ky tha se të dhënat dhe nënshkrimi i tij ishin falsifikuar.

Ermal Emini

Rreth vitit 2018, në lokalin ku unë punoj më ka mbërritur një zarf brenda të cilit kishte një shkresë ku unë lajmërohesha se isha debitor në shumën 58 100 lekë.

Ky zarf ishte dërguar nga ADCA (Albanian Debt Collection Agency), e cila ndodhet në Qendrën e Biznesit ‘STAR’, Bulevardi ‘Zogu I’. Sipas shkresës unë figuroja kreditor në shumën 30 000 lekë marrë datë 16 Shkurt 2005 dhe për shkak të kalimit të afatit dhe mos pagesës së huasë unë duhet të paguaja një shumë prej 58 100 lekë.

Bashkë me Kristo Puleshin të cilin e kam shok, shkuam pranë zyrave të ADCA, ku një punonjëse na shpjegoi për punën e kredisë si edhe na dha një kopje.

Aty ku unë pashë që emri, mbiemri dhe nënshkrimi nuk ishin shkruar nga unë.

Më tej Ermal Emini thotë se kontaktoi edhe me një avokat, në mënyrë që ky i fundit të interesohej dhe të komunikonte me shoqërinë financiare jo bankë ‘NOA’  dhe ADCA (Albanian Debt Collection Agency), për kredinë që supozohej se kishte marrë pranë Shoqërisë ‘Partneri Shqiptar në Mikrokredi’ (PSHM), kohën e marrjes, shumën dhe penalitetet nëse kishte.

Por sipas Eminit që nga dita kur kishin kërkuar informacion as ai dhe as avokati i tij nuk e kishin marrë një të të tillë.

I vetmi që e kontaktoi në vazhdim ishte një përmbarues, i cili i kërkoi shumën e kredisë, që sipas tyre ai kishë marrë.

Hetimet

Nisur nga kallëzimi i bërë nga shtetasi Kristo Puleshi dhe deklarimi i shtetasit Ermal Emini dyshohet se kemi të bëjmë me një rast të falsifikimit të një kontrate për marrjen e një kredie, pranë Shoqërisë ‘Partneri shqiptar në mikrokredi’ (PSHM), duke falsifikuar shkrimin dhe nënshkrimin e këtyre dy shtetasve, të cilët janë ‘kredimarrës’ dhe ‘dorëzanës’.

Të dy këta shtetas sqarojnë se nuk kanë dijeni për marrjen e kësaj kredie si dhe kush mund ta ketë kryer falsifikimin.

Nga ekspertimi grafik i nënshkrimeve të këtyre shtetasve në kontratat e kredisë konkluzionet e ekspertit rezultoi se :

‘Shkrimet dhe ‘firmat’ në tre faqet e dy dokumenteve objekt ekspertimi, të shkruara

në emër të shtetasve Ermal Emini dhe Kristo Puleshi, nuk janë shkrime dhe nënshkrime origjinale të këtyre shtetasve! Por produkte të maskimeve dhe sajimeve grafike!

E gjendur përballë dy rasteve të ngjashme të falsifikimit, prokuroria vendosi bashkimin e dy çështjeve të mësipërme dhe çeljen e një hetimi të përbashkët, për të kuptuar më mirë përgjegjësitë penale.

Nga ku fillimisht u kontastua një lëvizje e pazakontë e aksionerëve.

Hetimet

Shtetasit Fatos Alimadhi i cili ka qenë përmbaruesi që ka kryer procedurat për ekzekutimin e vendimit të gjykatës nuk ka vënë në dispozicion kopje të kontratës me kreditorin shoqërinë Micro Credit Albania (MCA) shpk.

Nga verifikimi i bërë në ekstraktin e kësaj shoqërie vihet re një levizje e shumtë si e aksionereve ashtu dhe e administratorëve të kësaj shoqerie pa asnjë logjike ekonomike duke qene se vlera e shitjes së kuotave në çdo transaksion qëndronte gjithmonë e njëjtë për te evituar tatmin e parashikuar nga ligji.

Por a duhet të ketë një përgjegjësi penale, lidhur mbi këto raste, dhe për të shmangur kësisoj edhe humbjet e jetëve njerëzore si në rastin e Pal Trashaj?

A duhet tashmë që duke pasur një hetim të hollësishëm mbi këto institucione, të çlirojmë nga kthetrat e tyre shumë qytetarë që janë skllavëruar dhe po humbasin të gjitha pasuritë e tyre.

Arena e Lajmit

Mashtrimi me kreditë, si bien në “rrjetën” e institucioneve të mikrokredive qytetarët/ Historia e Zef Susajt

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook