Rea Xhillari, vajza e Linda Ramës, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama, ka paditur në gjykatë ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe 6 deputetë të PD-së.
Xhillari përmes një kërkesë padi akuzon kreun e PD-së, Berisha, dhe deputetët Luan Baçi, Flamur Noka, Tritan Shehu, Albana Vokshi, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, për përhapjen e thënieve të pavërteta me natyrë shpifëse.
Rea Xhillari në jo pak raste është sulmuar dhe akuzuar nga Berisha dhe deputetë të PD-së si përfituese e tenderave dhe favorizime nga institucionet në varësi të Qeverisë, apo si përfituese e projekteve të ndryshme.
Berisha e akuzon vajzën e Linda Ramës, se ka përfituar tenderë publikë nëpërmjet subjektit tregtar “51N4E”, një studio arkitekture me qendër në Bruksel dhe sipas tij Xhillari ka qenë pjesë e stafit dhe bashkëpunëtore për shumë vite e kësaj kompanie.
Berisha e akuzon Rea Xhillarin prej 8 vitesh, ndërsa së fundmi deputetët që paditen kanë kërkuar një interpelancë me kryeministrin Rama për akuzat që drejtonin ndaj Xhillarit.
Opozita e akuzon Rea Xhillarin se ka përfituar gjithashtu tendera nëpërmjet subjektit tregtar “I RI” sh.p.k..
“Ka përfituar 33 pagesa për kontrata publike në vlerën 1.9 miliard lekë. Ka marrë pjesë dhe përfituar tendera publike, pa figuruar pronare e drejtpërdrejtë, por e lidhur me subjekte tregtare dhe si bashkëpunëtore e tyre, ka përfituar vlera të konsiderueshme monetare prej tyre”, janë disa nga akuzat e PD-së.
Por Xhillari në padinë e saj akuzon deputetët e PD dhe Berishën për shpifje.
“Në këto 8 vite, kam gjykuar që shpifjet publike ndaj meje, të konsumuara nga ana e përgojuesit tim në terrenin politik e publik, nuk meritojnë përfshirjen time. Kjo sepse së pari, nuk kam zgjedhur politikën si fushë të interesit tim dhe nuk jam jo vetëm faktor i drejtëpërdrejtë, po as i tërthortë i debatit politik. Së dyti, sepse Sali Berisha është shpallur “shpifës” me vendim gjykate në shumë raste dhe më është dukur sikur durimi ishte më i arsyeshëm se sa denoncimi i një personazhi që shpifjen e ka natyrë të dytë. Së fundi, sepse ky personazh nuk ka pushuar së shënjestruari, godituri dhe përbaltur nënën time, Linda Ramën, nga momenti që ajo zgjodhi të ishte bashkëshorte e Edi Ramës. Linda, nëna ime, është shembulli im i qytetarisë dhe profesionalizmit, modeli i përkushtimit familjar dhe dinjitetit publik.
Deklarimet e rreme dhe tejet të rënda nga ana e të paditurve në drejtimin tim, janë një ndërhyrje kriminale në jetën time dhe i shërbejnë qëllimit të denigrimit pa asnjë provë të personit tim. Ato bëhen për të krijuar në publik imazhin e një personi përfitues nga afërsia familjare me kundërshtarin e tyre politik, përmes veprimtarish të cilat nëse do të ishin të vërteta, do të ishin objekt për organet e ndjekjes penale”, thuhet në padinë e depozituar në Gjykatë.