Policia e Vlorës arrestoi drejtuesin e mjetit lundrues që shkaktoi aksidentin një ditë më parë në Karaburun, ku një pushues u godit nga helikat e gomones. I dëmtuari, 60-vjeçar nga Tirana, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, ku në vendin e quajtur “Shën Jani”, Karaburun, u godit nga helika e një mjeti lundrues gomone, në det dhe mbeti i dëmtuar në këmbë shtetasi A. K., 60 vjeç, banues në Tiranë, ju bëjmë me dije se në përfundim të veprimeve proceduriale, nga strukturat e hetimit në DVP Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit lundrues, shtetasit F. T., 42 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.
60-vjeçari aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
Mjeti lundrues gomone u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.