Begaj në Konispol: Agroturizmi po merr zhvillim tepër të madh në zonë, do adresoj shqetësimet tuaja

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Bashkinë e Konispolit, skajin më jugor të Shqipërisë. Gjatë bashkëbisedimeve me autoritetet lokale, Kreu i Shtetit vlerësoi përpjekjet që po bëhen për agroturizmin në këtë zonë, ndërsa përballë emigrimit i mëshoi idesë së zhvillimit të mëtejshëm të tij. “Vura re toka të punuara, në lulëzim, peizazhe të jashtëzakonshme dhe bukuri natyrore që përkthehen në një atraksion shumë të rëndësishëm turistik”, – u shpreh Presidenti i Republikës.

“Bujqësia, agroturizmi dhe blegtoria janë fusha që duhet të kenë një vëmendje të shtuar dhe duhet t’i bëjmë njerëzit të fokusohen tek to, sepse nëpërmjet tyre ne do të arrijmë mirëqenien e qytetarëve tanë”, – theksoi Kreu i Shtetit, duke vlerësuar njëherazi Konispolin për vlerat e larta patriotike, historike e social-kulturore.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohje dhe respekt ndaj banorëve të Konispolit, të cilët vazhdojnë të ruajnë traditat e rritjes së agrumeve, ullinjve e vreshtave, por edhe ato të artizanatit, duke kapërcyer me durim sakrificat.

Ai vizitoi punishten e drugdhendësit dhe gurpunuesit Urim Arapi, i cili e ushtron këtë punë prej 50 vitesh.  Ndalesa tjetër e Presidentit Begaj gjatë vizitës në Konispol ishte një plantacion me agrume dhe një plantacion me shegë. Kreu i Shtetit përgëzoi fermerët që kanë ngritur këto plantacione përmes mundit, duke këshilluar edukimin e të rinjve me dashurinë për punën.

“Është frymëzuese të shohësh këto plantacione të begata, fryt i djersës dhe punës suaj. Transmetojeni këtë dashuri për tokën tek të rinjtë, që ata të mos largohen!

Duhet të transmetojmë tek ta dijen dhe dashurinë për punën”, – theksoi Presidenti.

Begaj2
Begaj2
Begaj3
Begaj3

Gjatë takimeve me banorët e zonës, Presidenti i Republikës Bajram Begaj, u zotua se do të shndërrohet në zë për ta, për të gjetur zgjidhje përmes bashkëpunimit ndaj çdo problematike që kanë. Presidenti i Republikës garantoi mbështetjen e tij për zhvillimin dhe mirëqenien, duke theksuar nevojën e adresimit të problemeve në institucionet përkatëse. “Është përgjegjësi Kushtetuese, – u shpreh Presidenti Begaj, që Konispoli të jetë në hartën e vëmendjes së institucioneve, ashtu si çdo bashki tjetër”.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës zhvilloi një vizitë në shtëpinë muze të shkrimtarit Bilal Xhaferi në fshatin Ninat. Kreu i Shtetit, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Konispolit, z. Ergest Dule, vendosi një kurorë  me lule në Varrezën Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer, memorial kushtuar viktimave të eksodit të çamëve gjatë viteve 1944-1945.

(balkanweb)

Arena e Lajmit

Begaj në Konispol: Agroturizmi po merr zhvillim tepër të madh në zonë, do adresoj shqetësimet tuaja

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook