Deputeti socialist Fatmir Xhafaj, kryetari i komisionit të posaçëm anti-korrupsion, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, u shpreh se nga njëra anë opozita refuzon të bëhet pjesë e komisionit dhe nga ana tjetër i bën SPAK-ut gjyq popullor.
Xhafaj, duke iu drejtuar opozitës, theksoi se nuk mund të jesh një forcë serioze, se alternativë e besueshme jo e jo, nëse një pjesë e juaja i drejtohet SPAK-ut si në një gjyq popullor duke i kërkuar drejtësi e ndëshkim penal për kundërshtarët politik dhe pjesa tjetër bën dhunuesin publik ndaj tij siç ndodhi edhe në seancën e sotme!
“Nuk mund të ketë prokurorë apo gjyqtar të mirë kur ju jep të drejtë dhe prokurorë e gjyqtarë të kapur apo të blerë kur nuk u japin të drejtë”, u shpreh Xhafaj.
Sipas Xhafajt, rezultatet e zgjedhjeve të njëpasnjëshme mbase duhet t’i bëj kundërshtarët tanë politik të kuptojnë se për qytetarët e këtij vendi qëndrimi ndaj drejtësisë së re, pavarësisë së saj, mbetet vija e kuqe. Këtë e kanë treguar qartazi qytetarët tanë me mbështetjen që i dhanë reformës në drejtësi dhe që vazhdojnë ti japin institucioneve të reja të drejtësisë.
“Drejtësia, domosdoshmëria për të, mbetet guri i themelit mbi të cilën mund të vazhdoj përpara rruga jonë europiane, bazamenti mbi të cilën mund të ndërtojmë një shtet të fortë e me institucione të qëndrueshme, shpresa e fortë për mirëqeverisje dhe sundimin e ligjit për një të ardhme shumë më të mirë për vendin e fëmijët tanë”, shtoi Xhafaj.
Në vijim, referuar mospjesëmarrjes së opozitës në komisionin e posaçëm, Xhafaj tha se opozita ende heziton të bëhet pjesë e këtij procesi dhe në vend të bashkëpunimit dhe përfshirjes me kontribute konkrete në këtë proces, ka zgjedhur paragjykimin mbi procesin dhe agresivitetin mbi vet sistemin e drejtësisë.
“Dua t’ju kujtoj përgjegjësinë që Kuvendi ka, për të reflektuar mbi problematikat dhe për të propozuar zgjidhjet e duhura, jo përmes tavolinave hermetike, por përmes një procesi gjithpërfshirës, transparent dhe profesional ku në qendër të këtij debati të jenë vet njerëzit e sistemit të drejtësisë.
Maxhoranca, në reflektim të përgjegjësive kushtetuese e ligjore të Kuvendit e bëri këtë hap me ngritjen e një Komisioni të Posacëm Parlamentar që ndër të tjera do ju jap mundësin përfaqësuesve të vet sistemit, ekspertëve e profesionistëve të saj që vet ato të prezantojnë, debatojnë e vendosin për reflektimet që duhen bërë në sistem, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent përball ekspertizës së shoqërisë civile, trupës akademike dhe vlerësimit të vet qytetarëve”, tha ai.