Gjykata kushtetuese shpërfill prodhuesit vendas të birrës duke rrëzuar padinë për shfuqizimin e unfikimit të akcizës. Shoqata “Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase” pati kërkuar në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimi e pjesshëm të ligjit “Për akcizat”, me qëllim që prodhimi vendas të mbrohet. Në janar të 2023 qeveria shqiptare vendosi në mënyre të beftë që vlera akciza e birrës për prodhuesit vendas deri në 200 mijë hekto litra, të unifikohej me vlerën akcizës së birrave të importit.
Nga 1 janari 2023, kompanitë shqiptare po paguajnë dyfish të akcizës, pasi qeveria vendosi të unfikojë nivelin e akcizës si për prodhuesit vendas pavarësisht sasisë, ashtu dhe për birrat e importit. Para ndryshimit prodhuesit vendas deri ne 200 mijë hektolitra në vit, gjysmën e nivelit të akcizës në raport me birrat e importit. Masa kishte për qëllimin mbështetjen e prodhimit vendas dhe lehtësimin e kostove me qëllim ruatjen e konkurrencës nga kompanitë gjigande ndërkombëtare.
Megjithatë Gjykata Kushtetuese çmoi se gjatë gjykimit nuk u provua se ndryshimet ligjore kanë cenuar thelbin e lirisë së veprimtarisë ekonomike apo e kanë vënë në rrezik atë deri në atë masë që të vihet në dyshim ekzistenca e saj. Në këtë këndvështrim, gjykata thotë se unifikimi i akcizës nuk përbën një mjet joproporcional.
Kushtetuesja nuk mori parasysh faktin se ndryshimi i akcizës shtoi me 22% kostot e prodhuesve, që prej kohësh vuanin shtrenjtimin e lëndës së parë, materialeve ambalazhuese dhe rritjen e pagave të punonjësve. Për shkak të mospërballimit të kostove, vjet prej muajit janar deri në mars, disa fabrika mbyllën përkohësisht prodhimin. Sipas të dhënave të Doganave, sasia e birrës së prodhuar në muajt janar-mars 2023 u ul me 22% krahasuar me 2022.
Prodhuesit ngritën shqetësimin se kostot nga dyfishimi i akcizës dhe lëndëve të parë janë shtuar 40%.
Lënia në fuqi e akcizës 34%, bën që 60% e ndërmarrjes vendase shkon drejt falimentimit, ndërsa 1 mijë punonjës rrezikojnë të humbasin vendet e punës.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkuese Shoqatën e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase, me objekt shfuqizimin e pjesshëm të ligjeve nr. 81/2022 dhe nr. 94/2023 për akcizat, për pjesën që parashikon unifikimin e akcizës së birrës nga malto për të gjithë prodhuesit pavarësisht sasisë së prodhimit vjetor.
Kërkuesja ka pretenduar se ky ndryshim, i cili në thelb dyfishonte tarifën e akcizës për prodhuesit deri në 200.000 HL në vit, cenon lirinë e veprimtarisë ekonomike, të drejtën e pronës, parimin e sigurisë juridike, si dhe detyrimet që rrjedhin në zbatim të nenit 70 të MSA-së.
Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 16.07.2024, vlerësoi se kërkuesja legjitimohet ratione personae për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues. Megjithëse ajo si shoqatë ishte krijuar pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 81/2022, Gjykata çmoi se ajo mbart interes për sa kohë anëtaret e saj janë subjekte të prekura drejtpërdrejt nga ndryshimet ligjore të kundërshtuara. Për sa i përket legjitimimit ratione materiae, Gjykata vlerësoi se pretendimet e paraqitura ishin me natyrë kushtetuese. Nisur nga thelbi dhe përmbajtja e këtyre pretendimeve, Gjykata çmoi t’i analizojë ato në tërësi në këndvështrim të lirisë së veprimtarisë ekonomike, të garantuar nga neni 11 i Kushtetutës, të lidhur me parimin e proporcionalitetit, të parashikuar në nenin 17 të Kushtetutës.
Në lidhje me bazueshmërinë në themel të këtij pretendimi, Gjykata, duke mos vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të shtetit në fushën e taksave dhe tatimeve, vlerësoi se unifikimi i akcizës përbën ndërhyrje në lirinë e veprimtarisë ekonomike. Kjo ndërhyrje plotëson kriteret kushtetuese “të vendosur vetëm me ligj” dhe “për interes publik”, të parashikuara në nenet 11 dhe 17 të Kushtetutës. Lidhur me këtë të fundit, Gjykata rithekson qëndrimin e mbajtur në jurisprudencën e saj në lidhje me prezumimin e rëndësisë së objektivit të ligjvënësit dhe pranisë së interesit publik për një sistem tatimor efektiv.
Për sa i përket analizës së kritereve të parimit të proporcionalitetit, Gjykata mbajti në konsideratë diskrecionin e shtetit në fushën fiskale dhe kohëzgjatjen prej 15 vjetësh të akcizës së diferencuar si një mjet i përzgjedhur nga ligjvënësi për të lehtësuar barrën tatimore për kategorinë e prodhuesve të produktit të birrës nga malto. Gjykata çmoi se gjatë gjykimit nuk u provua se ndryshimet ligjore kanë cenuar thelbin e lirisë së veprimtarisë ekonomike apo e kanë vënë në rrezik atë deri në atë masë që të vihet në dyshim ekzistenca e saj. Në këtë këndvështrim, unifikimi i akcizës nuk përbën një mjet joproporcional.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash:
– Rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
()