Rrëzimi i kërkesës për debat/ “Mocionet zhvillohen mbi raporte, jo aludime”, Bardhi i përgjigjet Spiropalit: Avokati politike ndaj abuzuesve me fondet e BE

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh përmes një reagimi se qeveria dhe  shumica parlamentare janë të gatshëm për debat në çdo kohë, për të gjitha çështjet me ndjeshmëri apo interes publik.

Konferenca e Kryetarëve ditën e sotme rrëzoi kërkesën e grupit parlamentar të PD për zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me gjetjet e OLAF-it dhe masat që duhet të marrë Kuvendi i Shqipërisë që të sigurohen mekanizmat e nevojshëm, që mbrojnë interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale dhe që sjellin përfitimin e fondeve nga programi IPARD nga fermerët shqiptarë.

Spiropali theksoi se mocionet me debat zhvillohen mbi raporte dhe konkluzione përfundimtare, jo mbi aludime dhe akuza politike, me qëllim final gjyqin popullor.

“Nuk mund ta kthejmë Kuvendin në hapësirë shantazhi, denigrimi dhe bullizimi ndaj institucioneve. Sa më shpejt ta kuptojë opozita rolin e saj, aq më mirë është për të, por edhe për Kuvendin”, shtoi ajo në reagimin e saj.

“Kjo qeveri dhe kjo shumicë parlamentare janë të gatshëm për debat në çdo kohë, për të gjitha çështjet me ndjeshmëri apo interes publik.
Mocionet me debat zhvillohen mbi raporte dhe konkluzione përfundimtare, jo mbi aludime dhe akuza politike me qëllim final gjyqin popullor.
Nuk mund ta kthejmë Kuvendin në hapësirë shantazhi, denigrimi dhe bullizmi ndaj institucioneve dhe individëve.
Sa më shpejt ta kuptojë opozita rolin e saj, aq më mirë është për të, por edhe për Kuvendin”, shkroi ajo.

Megjithatë, pas reagimit të Spiropali është përgjigjur kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cili ka thënë se konsiderimi nga mazhoranca i Raportit zyrtar dhe përfundimtar të OLAF si thashetheme, aludime, apo akuza politike, është më së paku papërgjegjshmëri dhe më së shumti avokati politike ndaj abuzuesve me fondet e BE.

Ai shtoi se një mazhorancë e përgjegjshme do të vlerësonte dorën e shtrirë të opozitës në funksion të gjetjes së mekanizmave për zhbllokimin e fondeve të BE, që janë një ndihmë e çmuar ndaj në fermerëve shqiptarë.

Reagimi i Bardhit:

Konsiderimi nga mazhoranca i Raportit zyrtar dhe përfundimtar të OLAF si thashetheme, aludime, apo akuza politike, është më së paku papërgjegjshmëri dhe më së shumti avokati politike ndaj abuzuesve me fondet e BE.
Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve (OLAF) njoftoi zyrtarisht se ka identifikuar keqpërdorimin e 33 milionë eurove fonde të BE-së në ndihmë të bujqësisë shqiptare dhe ka rekomanduar bllokimin e paketës së radhës prej 112 milionë euro, për sa kohë nuk ka masa për të garantuar mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.
Konkretisht OLAF në një raport zyrtar dhe përfundimtar ka zbuluar disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve, ku përfshiheshin: (1) Aplikantëve u kërkohet t’i paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale; (2) Kontratat që jepen pa konkurrim, ose me konkurs të manipuluar (me oferta false që dorëzohen); (3) Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale.
Një mazhorancë e përgjegjshme do të vlerësonte dorën e shtrirë të opozitës në funksion të gjetjes së mekanizmave për zhbllokimin e fondeve të BE, që janë një ndihmë e çmuar ndaj në fermerëve shqiptarë. Këtë propozim e bëjmë me qëllimin e mirë për të vepruar shpejtë dhe në kohë, sepse sektori i bujqësisë po kalon vështirësi për shkak të mungesës së mbështetjes nga Qeveria dhe 112 milion euro janë një ndihmë e çmuar dhe mbështetje e domosdoshme që vjen nga Bashkimi Europian.
Por mazhoranca provoi sot se qëllimi nuk është thithja e sa më shumë fondeve nga BE për të ndihmuar fermerët, por përdorimi i fondeve të BE për të fryrë xhepat e “ilirbeqajve” të Edi Ramës në Qeveri. Nuk duan mekanizma për të penguar abuzimet, sepse sa kohë nuk kanë mundësi të vjedhin, kanë vendosur të mos e përdorin ndihmën 112 milion euro të BE-së. Qeveri e papërgjegjshme!

Arena e Lajmit

Rrëzimi i kërkesës për debat/ “Mocionet zhvillohen mbi raporte, jo aludime”, Bardhi i përgjigjet Spiropalit: Avokati politike ndaj abuzuesve me fondet e BE

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook