“Grup i strukturuar kriminal në bashkinë e Tiranës”, Këlliçi bën publike kërkesat zyrtare për SPAK-un

Partia Demokratike ka sulmuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Në një dalje për mediat, anëtari i Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi i bëri thirrje kreut të SPAK-ut, Altin Dumani në lidhje me atë që e cilëson si mega aferë korruptive.

DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYESISË SË PD, BELIND KËLLIÇI:
Të nderuar qytetarë,
Po vijojmë sot bërjen publike të kërkesave zyrtare drejtuar Prokurorisë së Posaçme dhe kreut të saj Altin Dumani, në lidhje me mega aferat korruptive dhe hajdutërinë e Grupit të Strukturuar Kriminal në Bashkinë Tiranë, kryesuar nga Erion Veliaj.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, në cilësinë e kallëzuesit të dosjes së Inceneratorit Tiranë, i ka kërkuar informacion Drejtuesit të SPAK, Altin Dumanit për sa më poshtë:
1. A janë lëshuar masa të reja arresti gjatë muajit korrik 2024?
2. A është regjistruar nga ju Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj në regjistrin e njoftimeve të veprave penale?
3. A është vlerësuar nga ju studimi i depozituar i IFC pasi ishte argumentimi i përdorur nga Erion Veliaj për fillimin e procedurave për dhënien me konçension të trajtimit të mbetjeve?
4. A keni kryer ju një analizë financiare se si u rritën kostot me 3-fish nga studimi i propozuar i IFC?
5. A keni kërkuar informacion mbi kompanitë që shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto kanë regjistruar në Bullgari, Maltë, Zimbabve, Qipro, etj?
6. A janë vlerësuar nga ju dokumentacioni i dërguar nga PD për Njësinë e Zbatimit të Projektit (NJZP)?
7. A është vlerësuar nga ju Marrëveshja e lidhur midis Bashkisë Tiranë, Inspektoriatit të Mjedisit dhe kompanisë IEBV SPV sh.p.k. për menaxhimin e biznesit të dherave?
8. A po verifikohen nga ju të dhënat që ju kemi vënë në dispozicion për kompanitë të cilat me urdhër të Bashkisë Tiranë nuk paguajnë për depozitimin e dherave?
9. A po kryeni ju një analizë të detajuar sa kompani të pajisura me leje ndërtimi kanë depozituar dherat në landfillin e Sharrës? Sa prej tyre kanë kryer pagesat në vlerë monetare e sa me metër katrorë ndërtimi?
10. A keni marrë masa për sekuestrimin e këtyre aseteve?
Disa kontrata kleringu ua kemi vënë në dispozicion për subjektin ITS sh.p.k. dhe ende nuk ka asnjë veprim për të parandaluar tjetërsimin e tyre.
Të nderuar qytetarë,
Partia Demokratike nga viti 2020 e në vijim ka depozituar vazhdimisht prova dhe fakte në Prokurorinë e Posaçme, jo vetëm për shkeljet e kryera gjatë miratimit të këtij koncesioni, por edhe për mungesën e monitorimit të kontratës përmes dështimit të qëllimshëm të NJZP, për të vjedhur dhe zhdukur paratë, por mbi të gjitha kemi depozituar në SPAK provat se ku ndodhen paratë e vjedhura të shqiptarëve.
Shifra qesharake prej 20 milionë euro e faktuar deri më sot nga SPAK nuk është e vërteta e kësaj vjedhje dhe mbi të gjitha kjo shifër shërben si amnisti e plotë e SPAK-ut për kreun e Grupit të Strukturuar Kriminal në Bashkinë Tiranë, Erion Veliajn.
Ne do të presim përgjigjen e SPAK, e më pas do të dërgojmë dokumente të tjera në lidhje me kompanitë e zbuluar rishtazi në këtë mega aferë.
Nëse SPAK nuk ka vullnet të hetojë hajdutërinë e Bashkisë Tiranë, garantojmë qytetarët se Partia Demokratike, unë personalisht dhe Grupi i Ekspertëve të PD, jemi më të vendosur se kurrë për të zbardhur deri në fund këto dy mega vjedhje të kryera nga Erion Veliaj, atë me inceneratorin fantazmë të Tiranës dhe vjedhjen tjetër me bandën 5D.
Ne nuk do të ndalemi në faktimin e vjedhjeve dhe abuzimit me taksat e qytetarëve si dhe luftën kundër korrupsionit që ka mbërthyer prej fyti Bashkinë Tiranë.
Për këtë arsye ftojmë qytetarët sërish nesër, e enjte, datë 18 korrik, ora 11:00, të protestojmë kundër kryehajdutit të Tiranës Erion Veliaj.
O sot, o kurrë.
Ju faleminderit.

Arena e Lajmit

“Grup i strukturuar kriminal në bashkinë e Tiranës”, Këlliçi bën publike kërkesat zyrtare për SPAK-un

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook