Situatë e rëndë mbetet në luginën e Shkopetit ku pasi ishte bërë thuajse izolimi i vatrës së zjarrit me ndërhyrjen e forcave tokësore por edhe helikopterit të Ministrisë së Mbrojtjes, është riaktivizuar në orët e drekës së kësaj të Mërkure.
Ndërkohë zjarri vijon të jetë një rrezik potencial për banesat që ndodhen në Lundre, e Madhesh, pasi banorët e këtij të fundit janë evakuar pasditen e së martës.
Po ashtu, burime nga Mbrojtja Civile pranë Bashkisë së Matit si dhe Shërbimi Pyjor thanë se flakët po përparojnë drejt fshatrave Stojan e Kokërdhok.
Megjithëse në terren janë 80 forca që po punojnë për izolimin e përhapjes së zjarrit, era e fortë po pengon procesin.
Nisur nga këto kushte, kërkohet ndërhyrje e dytë nga ajri me helikopter, pasi fshatrat e tjerë janë të paevakuar.