Tirana është gati. Skuadra e teknikut Bledi Shkëmbi ka mbyllur përgatitjet e fundit në prag të sfidës së të enjtes ndaj gjeorgjanëve të Torpedo Kutaisit, e vlefshme për ndeshjen e kthimit të turit të parë kualifikues të Conference League. Do të nis çdo gjë nga shifrat e barabarta 1-1 të sfidës së zhvilluar një javë më parë, kur goli i Rimal Haxhiut 3 minuta nga fundi i kohës së rregullt i dha besimin e duhur skuadrës bardhe e blu, për të kërkuar kualifikimin.
Besim ky i shprehur qartë edhe gjatë konferencës për shtyp, ku përpara medias ishin tekniku Bledi Shkëmbi si dhe mbrojtësi Gledi Mici. Lidhur me gjendjen e skuadrës së tij në prag të kësaj përballje, si dhe se si e sheh mundësitë e kualifikimit, tekniku Shkëmbi u shpreh:
“Mendoj që kemi bërë një paraqitje të mirë duke pasur parasysh kohën në disposicion, sinjalet e asaj ndeshje janë pozitive. Unë personalisht dhe stafi jemi të mendimit që kemi bërë një ndeshje positive por kemi vlerësim maksimal për kundërshtatin. Është një skuadër shumë e fortë. Për skemën nuk ndryshon gjë, Ismajli kthehet, na vjen keq për çfarë ndodhi ndeshjen e parë. Lojtarët duhet të japin maksimumin, të vrapojnë pafund dhe të kenë besim për kualifikimin. Unë pres një Tiranë që të luajë në mënyrën që të kualifkohet, do ta shohim në fushë, por do të jemi me dëshirë për tu kualifikuar.
Duhet të dimë se çfarë mund të bëjmë. Para ndeshjeve shanset janë 50 me 50, të barabartë, por kundërshtari është disa hapa para nesh për shumë arsye. Mua personalisht më bëri përshtypje ardhja e tifozëve deri atje, më pëlqyen djemtë. Shpresoj ti kemi afër përsëri, nuk iu premtohet fitorja, por do të japin maksimumin në fushë”, deklaroi Shkëmbi.