Gjatë prezantimit të p.ligjit të ri “Për Policinë e Shtetit”, në Komisionin e Sigurisë, ministri i Brendshëm Taulant Balla bëri një ftesë për të rinjtë e të rejat që kanë mbaruar gjimnazin, të konsiderojnë si mundësi aplikimi edhe Akademinë e Sigurisë. Aplikimet janë të hapura nga data 30 korrik deri në 4 gusht, përmes portalit UAlbania.
“Unë u bën thirrje dhe i ftoj maturantët që janë ende në dilemën për zgjedhur rrugën e karrierës së tyre, që të konsiderojnë edhe ofertën e Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, për t’u bërë pjesë e Akademisë së Sigurisë. Këtë vit kemi 100 kuota në nivelin “Bachelor”, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit. Ata që do të përfundojnë këtë cikël 3-vjeçar, janë përfitues të drejtpërdrejtë të gradës “Nënkomisar”, tha ministri Balla.
Gjatë fjalës në Kuvend, ai nënvizoi se në bazën ligjore në fuqi, ka patur një mangësi me heqjen e mundësisë së studimit në Akademi, në sistemin “Bachelor”.
(Arena e Lajmit)