Pas prezantimit të Projektligjit “Për Policinë e Shtetit”, tek Komisioni përgjegjës për Sigurinë Kombëtare, ministri i Brendshëm dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme e Policisë së Shtetit, njohën Komisionin parlamentar për Çështjet Europiane, me nismën e re ligjore.
Ministri Taulant Balla tha se ligji vendos në fokus qytetarin, duke i dhënë rol të posaçëm komunitetit, në rritjen e sigurisë publike.
Sipas tij, p.ligji përmbush detyrimet dhe detyrat që burojnë nga procesi i anëtarësimit të vendit drejt Bashkimit Europian.
“Synojmë me këtë ligj standardet më të larta të BE-së”, shpjegoi Balla.
Balla tha se pas miratimit të ligjit, janë përgatitur edhe aktet nënligjore, që nisma të jetë funksionale menjëherë e pa humbur kohë.
“Krimi i organizuar nuk ka zyra s’ka as kufi dhe e ka të lehtë të përshtatet, sesa koha e agjencive ligjzbatuese për të rritur aftësisë goditëse. Policimi i të ardhmes do jetë i bazuar në inteligjencë. Duhet punuar në kohë, e po punojmë me këto projekte, duke hequr policinë nga rruga, për ta zëvendësuar me teknologjinë, me aplikacionet që bën syri e mendja e punonjësit të Policisë”, nënvizoi ministri.