Atentati që shkaktoi 3 viktima mesnatën e së shtunës në Memaliaj mund të jetë porositur nga Dubai, tha në studion e News24, gazetari Igli Çelmeta.
Gazetari u shpreh se dyshohet se atentati është kryer nga vrasës me pagesë, ndërsa pista kryesore ku po hetohet janë përplasjet mes fiseve Kalemi dhe Papa. Seria e krimeve nisi kur u ekzekutua me tritol të vendosur në automjet Aleksandër Sadikaj, i afërm me fisin Kalemi. Pas ngjarjes së rëndë, u vijua me një seri krimesh dhe atentatesh, mes të cilave mbeti i vrarë edhe Edmond Papa, që dyshohej si porositës i vrasjes së Sadikajt.
Gazetari Çelmeta tha se lidhur me atentatin e ndodhur në Memaliaj policia ka mbledhur pamjet nga kamerat e sigurisë, ndërsa në të shfaqet automjeti tip BMË me ngjyrë të zezë, që u gjet disa orë më pas duke u djegur në zonën e Mallakastrës.
Çelmeta tha se autorët kanë vepruar në mënyrë të shpejtë, ndërsa kanë dalë lirisht nga territori i Memaliajt, ndoshta edhe për faktin se në një qytet të vogël, ku nuk kanë ndodhur ngjarje të rënda, ka një numër të kufizuar punonjësish të policisë.
Viktima të atentatit të djeshëm kanë mbetur Shyqyri Kalemi, Marsel Çela dhe Bledar Muka, ndërsa i plagosur ka mbetur Artur Kalemi, vëllai i Shyqyriut, dhe xhaxhai i Tiku Kalemit.
Dy viktimat Marsel Çela dhe Bledar Muka janë përkatësisht kamarieri dhe klienti, në lokalin ku u qëllua me breshëri armësh.
Viktima Shyqyri Kalemi ishte ulur në një tavolinë me vëllain e tij, Artur Kalemi, kur është qëlluar me breshëri. Si pasojë e të shtënave kanë humbur jetën edhe dy personat e tjerë.