Shpat Kasapi ka rrëfyer dhimbjen që kaloi pasi i ati i ndërroi jetë. Ai tregon momentet më të bukura me të dhe gjithashtu pengun e madh që nuk e pa të bëhej një artist i madh.
Moderatorja: Kjo periudhë e vështirë që përmend dhe që ke përjetuar, lidhet dhe me humbjen e babait?
Shpat Kasapi: Jo, ai ishte një depresion tjetër. Unë isha shumë i vogël. E përjetova shumë keq. Por kur je i vogël, edhe…
Moderatorja: Ti ke qenë 13 vjeç mos gabohem kur ndërroi jetë babi…
Shpat Kasapi: Po, 13 vjeç. Kur je i vogël, çfarë ndodh? Ti nuk mendon shumë gjatë asaj periudhe, sepse i kishim kushtet e mira shyqyr Zotit. Çdo herë, nëna ime ka punuar për ne. Pas një viti pas ndarjes së babait, unë fillova me muzikë, me diçka që e kalova atë depresionin, sepse je i vogël. Kur je më i madh, e përjeton më keq. Kështu mendoj unë. Ndoshta dhe se ishim në kushte të mira. Nuk na la babai keq, na la shumë mirë. Punonte për ne. Është kujdesur për ne në maksimum. Kështu që i them të gjithë atyre familjarëve, baballarëve në përgjithësi, nënave po se po, që kanë fëmijë ta quajnë familjen e shenjtë sepse s’i dihet jetës.
Moderatorja: Besoj, edhe pse kanë kaluar shumë vite, malli është i madh. Nuk kalon kurrë… Çfarë të mungon më shumë nga babi?
Shpat Kasapi: Shpulla (qesh). Kam qenë shumë rrëmujaxhi si fëmijë. Vetëm një herë më bërtiste dhe mami thoshte: ‘Shyqyr erdhi ky ta qetësojë, se nuk qetësohet Shpati’… E donte muzikën, e donte artin. I donte njerëzit. Kishte njerëz të mirë rreth vetes. Babi bënte dhe shfaqe në atë kohë, shfaqe me artistë të njohur të skenës në atë kohë. Ishte dhe biznesmen, por e donte artin shumë. Herën e parë më ka marrë në Pogradec, në kohën e trazirave dhe atëherë na thyen makinën. Ishte koha e revolucionit, që u rrëzua regjimi. I mbaj mend si sot të gjitha ato përjetimet. Më thoshte: ‘Këtu jemi në Pogradec, këtu jemi në kufi’, më shpjegonte fshatrat. Ka qenë vërtet njeri i dashur për të gjithë. Por unë them çdo herë, nëna është motori i shtëpisë, po kur humb babin, ke humbur burrërinë gjatë periudhës më të mirë të jetës tënde. Pastaj i vuan këto vet dhe bëhesh më i fortë.
Moderatorja: Babi ishte ai që të shtyu drejt muzikës dhe zbuloi këtë talentin tënd. Të vjen keq që nuk arriti të shohë këtë djalin e suksesshëm që je bërë sot?
Shpat Kasapi: Për këtë më vjen më tepër keq nga të gjitha. Gjithmonë them: ‘Po të jetonte dhe pak?’. Jeta i ka këto.