Një adoleshent shqiptar që mbërriti ilegalisht në Britaninë e Madhe me gomone është dënuar me gjashtë muaj burg pasi u kap duke ndihmuar në kultivimin e kanabisit.
Oltion Stafasani, 19 vjeç, nuk i ka paguar kontrabandistët për ta sjellë në Britani, por sipas DailyMail ka rënë dakord për të shlyer detyrimin duke ndihmuar në rritjen e bimëve narkotike në një shtëpi në Londrën juglindore.
Policia u thirr nga një hidraulik i zonës, i cili ngriti alarmin për një rrjedhje të rëndë uji në banesën në Abbey Wood, më 1 qershor, u tha në seancën e mbajtur në Woolwich Crown Court.
Oficerët përdorën një levë për të hyrë në një hapësirë të fshehtë të banesës që përmbante disa dhoma të mbushura plotësisht me bimë kanabisi.
U zbuluan të paktën 48 bimë kanabisi, si dhe 14 qese plastike të pastra plot me materiale të pretenduara nga prokuroria si lëndë narkotike.