Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, ka vlerësuar punën e Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës.
Në një bashkëbisedim me gazetarët nga Kryesia e Kuvendit, Çuçi tha se grupi parlamentar socialist i jep mbështetje të plotë Veliajt dhe se ai ka bërë punë që kanë transformuar Tiranën.
“I vetmi qëndrim i grupit parlamentar njëzëri është që Veliaj është kryetari i Bashkisë më i suksesshëm që ka pasur dhe që ka PS në këto vite kur ne qeverisim së bashku në pushtet qendror dhe vendor. Edhe transformimi historik i Tiranës është një realitet që nuk mund ta bëjë pis çfarëdo lloj balte që mund të hidhet mbi figurën e kryetarit. Ne jemi të nderuar që kemi zgjedhur nga gjiri jonë një kryetar bashkie që e nderon jo vetëm Tiranën, por besoj e nderon edhe përtej Shqipërisë çdo socialist, por edhe çdo tirons. Por, sa i takon Erion Veliajt, grupi parlamentar i PS-së i jep mbështetjen absolute kryetarit të bashkisë së Tiranës”, deklaroi Çuçi.