Ditën e nesërme do të mbahet në Parlament një seancë e jashtëzakonshme pas ndryshimeve në qeveri të lajmëruara ditën e sotme nga kryeministri Rama.
Për këtë ka reaguar kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili në një mesazh drejtuar deputetëve demokratë ka shprehur kritika për Presidentin Begaj.
Teksa e cilësoi kreun e shtetit si një “rojë i godinës së Presidencës”, ai shtoi se Begaj ka dekretuar ministrat e rinj me urgjencë dhe pa asnjë verifikim.
“Kolegë,
Presidenti si roje e godinës së Presidencës ka bërë dekretimin e ministrave të rinj me urgjencë dhe pa asnjë verifikim.
Administrata e Kuvendit më njofton që nesër në orën 18:00 do te ketë seancë të jashtëzakonshme parlamentare për emërimet në Qeveri. Njoftimi zyrtar do ju përcillet edhe me email”, shprehet Bardhi në mesazhin e tij.