Presidenti Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në 2025 do të vojë edhe diaspora, 2/3 e listave të hapura

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuara me konsensus mazhorancë-opozitë gjatë seancës së fundit parlamentare këtë sesion të premten e kaluar. Në 26 korrik, Kuvendi votoi me 106 vota pro dhe 2 kundër ndryshimet në Kodin Elektoral të cilat përfshinin votën e diasporës dhe hapjen e listave në 2/3 e tyre.

Dekreti I Begajt
Dekreti I Begajt

Njoftimi i Presidencës

Presidenti i Republikës shpalli sot ligjin nr. 81/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë̈”, i ndryshuar”. Ky ligj, që mori mbështetje të gjerë parlamentare, është fryt i diskutimeve dhe i marrëveshjes pozitë-opozitë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kishin shfuqizuar disa dispozita të Kodit Zgjedhor.

Bashkëpunimi parlamentar, si dhe përgjegjshmëria dhe respekti ndaj parimit të kushtetutshmërisë dhe shtetit ligjor janë vlera politike dhe ligjore të një sistemi të mirëfilltë demokratik, të cilat meritojnë të kultivohen e të shumëfishohen në praktikën institucionale shqiptare.

Ndër të tjera, ky ligj vendos kornizën për votimin nga jashtë vendit, i cili përbën një zhvillim historik për zgjedhjet në Shqipëri. Presidenti i Republikës mbështet dhe nxit institucionet e ngarkuara që të caktojnë prioritet absolut masat dhe përgatitjet për të implementuar votën nga jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për ta shndërruar këtë procedurë në një histori të plotë suksesi.

Debati rreth përmbajtjes së dispozitave të veçanta të këtij ligji u ndoq me vëmendje nga Presidenti i Republikës. Ligji u shqyrtua edhe në këndvështrim të këtij debati. Presidenti i Republikës konstaton se kritikat ndaj mekanizimit ligjor të votimit parapëlqyes nisen nga qëllimi legjitim për të demokratizuar më shumë këtë mekanizëm.

Ekzistenca e dy formave alternative që rregullojnë prurjen në parlament, (prurja për shkak të renditjes në listë dhe prurja për shkak të votës parapëlqyese), është përcaktuar në pikën 3 të nenit 64 të Kushtetutës. Dispozita e këtij neni ka kaluar provën e kushtetutshmërisë me vendimin nr. 28 të vitit 2021 të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ka vënë re cenim të barazisë përpara ligjit për këtë shkak.

Gjykata Kushtetuese ka konsideruar kufizim disproporcional vendosjen e mekanizmit të herësit në përmasën që kishte ligji i vitit 2020. Ndryshimet e reja e kanë hequr mekanizimin e herësit dhe kanë pranuar ndarjen sasiore që vendos dispozita e Kushtetutës, sipas së cilës “ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumëemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor”. Mbajtja e raportit në kufirin e sipërm të kësaj dispozite nuk lë vend për të debatuar kushtetutshmërinë e një kriteri që është vendosur nga vetë Kushtetuta.

Nëse votimi parapëlqyes duhet të ndjekë këtë raport, apo duhet të jetë më i zbutur, brenda marzhit që lejon Kushtetuta, kjo është çështje vizionesh dhe kompromisesh politike e ligjore, për të cilat Presidenti i Republikës nuk ka tagër dhe nuk mund të mbajë qëndrim, përndryshe do të vepronte në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve.

()

Arena e Lajmit

Presidenti Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në 2025 do të vojë edhe diaspora, 2/3 e listave të hapura

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook