Gjatë vizitës te streha e kafshëve në kryeqytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ndal edhe te një tjetër çështje problematike, që prek jo vetëm qytetarët, por edhe kafshët.
Ai foli për fushatën e pastrimit që ka ndërmarrë Bashkia e Tiranës, teksa apeloi për bizneset që të mos i hedhin mbeturinat aty ku i hedhin familjarët.
“Sa i përket çështjes së pastrimit, ne kemi pasur një fushatë të jashtëzakonshme gjobash, sidomos për kompanitë private. Bizneset nuk mund t’i hedhin mbetjet aty ku i hedhin familjarët. Të hedhësh të gjitha copat e mbetura të sfungjerit, apo të lëkurës dhe tekstilit nga fasoneritë tek koshi i plehrave të qytetarëve, apo një restorant peshku ose një kasap mishi, tek koshi i familjarëve është një shkelje e ligjit dhe duhet dënuar me gjobë. Mjafton të shikosh faturat për te gjetur se cili restorant ose biznes i hedh, për të aplikuar gjobën.
Kjo është një gjë e pandershme, është një mungesë qytetarie, dhe në një qytet që është shtuar shumë volumi i mbetjeve, sidomos prej Airbnb, prej shumë të huajve, restoranteve dhe lokaleve që janë shtuar jashtëzakonisht me konsumin e tyre prej turizmit, tregon se ne që jemi vendas duhet të tregojmë vëmendje maksimale. Do të jemi me tolerancë zero kur vjen puna tek super marketet, tek bizneset, tek ata që i dinë, i kanë mundësitë, kanë edhe mjetet e tyre të logjistikës, dinë edhe kontaktin e bashkisë për t’ia marrë kartonat në destinacion, sepse kjo është e patolerueshme”, nënvizoi Veliaj.
(Arena e Lajmit)