ANALIZA/ Turi amerikan, Reali i kthehet skemës 4-3-3

Reali i Madridit ka mbyllur fazën për gatitore të verës me dy fitore dhe dy humbje. Jo më larg se të mërkurën, skuadra është kthyer nga SHBA-ja, aty ku zhvilloi tri takime dhe një fund të këndshëm falë fitores ndaj Çelsit 2-1.

Natyrisht që turneu 10-ditor nuk ishte mjaftueshmërisht i gjatë për të nxjerrë përfundime më të thelluara, megjithatë, disa gjëra janë bërë më të qarta për trajnerin Karlo Ançeloti vetëm pak ditë para nisjes së sezonit me finalen e Superkupës së Europës kundër Atalantës.

Në SHBA kanë munguar shtatë lojtarë thelbësorë (Mbape, Mendi, Tçuameni, Kamavinga, Bellingam, Valverde dhe Karvahal; praktikisht, shtatë titullarë), por ata që ishin në SHBA kanë lënë një shije të mirë te trajneri i tyre që do të kërkojë shtatë trofetë në një sezon që mund të shkojë deri në 72 ndeshje!

KTHIMI TE 4-3-3 – Vitin e kaluar, Reali humbi gjatë verës kapitenin Karim Benzema dhe afroi yllin anglez Xhud Bellingam. Kështu që Ançeloti shpiku një 4-3-1-2 që më së shumti ishte një 4-4-2 me një mesfushë në formë rombi, në mënyrë që anglezi të ishte një sulmues surprizë,. Kjo skemë pati rezultate mbresëlënëse. Por tani me ardhjen e Mbape, Ançelotit i duhet të ndryshojë diçka në vizatimin e tij dhe siç ai vetë ka pranuar do të kthehet në një klasik 4-3-3. Në të tri ndeshjet në SHBA e ka nisur me këtë skemë dhe ka ndryshuar në 4-4-2 vetëm nga nevoja kundër Milanit.

“E bëmë sepse na mungonin sulmuesit, nëse jo, do të kishim vijuar me 4-3-3”. Apriori, Mbape do të dalë përpara, Vinicius në të majtë dhe Rodrigo në të djathtë, por italiani e ka bërë të qartë se skema e tij nuk do të jetë statike. “Lëvizshmëria është shumë e rëndësishme, me këtë cilësi lojtarësh, ata nuk duhet të jenë në pozicione fikse. Sepse kështu do të ndihmonim më shumë kundërshtarin”.

ENDRIK DHE GYLER, NË KATEDËR – Ishte turneu në SHBA në të cilin Endrik hodhi hapat e tij të parë me Realin. Është herët për të gjykuar përshtatjen e një djali 18-vjeçar, i cili sapo është larguar nga Brazili. Por tani për tani, hapat e parë të tij kanë qenë disi të dyshimtë, aq sa Kurtua i kërkoi të qetësohej. “Ai duhet të jetë pak më i qetë”. Pstaj është Gyler, i cili pati një pjesë të parë shumë të mirë kundër Milanit dhe ishte pak më “i qetë” kundër Barçës, por gjithsesi duke lënë përshtypje të shkëlqyera dhe mbi të gjitha shumë konsistencë me topin, duke u përmirësuar çdo prekje të topit. Kjo bëri që Ançeloti të mos e përjashtonte atë si mesfushor. “Në të ardhmen, ai mund të luajë në linjën e tre mesfushorëve”, deklaroi trajneri i Realit për yllin turk.

NJË ÇËSHTJE QENDRORE – Çështja e mbrojtësve, më saktë qendërmbrojtësve nuk është e vogël në Madrid. Klubi këmbëngul se nuk do të shkojë në merkato, por është dukshëm i shkurtër në këtë repart në qendër, me dy mbrojtës të shëndetshëm dhe në formë të plotë (Militao dhe Rydiger), një ende i dëmtuar (Alaba) dhe një larg ritmit dhe pa besimin e plotë të trajnerit si Vajeho. Ançeloti e di që nëse është e nevojshme, Tçuameni është i radhës në listë, duke pritur që Alaba të rikthehet, diçka që nuk do të ndodhë para nëntorit. Dhe gjendja e saj, pas 11 muajsh pasiviteti, gjeneron të paktën dyshime të arsyeshme.

ROL I RI PËR MODRIÇ – Në rastin e kroatit, sezonin e kaluar ai tashmë mori një status tjetër nga ai që kishte, fillimisht me më shumë hezitim, e më pas me gëzim për të vazhduar angazhimin, aq sa rinovoi edhe për një tjetër sezon. Në këtë fazë përgatitore është parë që mosha për të është vetëm një numër dhe për Ançelotin gjithashtu. “Ai është rikthyer shumë mirë, ka një strukturë fizike që i lejon të luajë pa problem pavarësisht moshës. Unë e shoh atë mirë”, tha Karlo Ançeloti pas “El Clasico”-s. Dhe kurioziteti është se trajneri i ka dhënë një rol tjetër Modriçit, i cili është gati 39 vjeç. Si kundër Barçës, ashtu edhe kundër Çelsit, italiani e vendosi atë si mesfushor pozicional, duke zëvendësuar Mario Martinin, specialist në atë pozicion. Karlo e di fare mirë se ka humbur një lojtar si Kros, ndaj të paktën për eksperiencën që ka, vetëm Modriç mund t’i ofrojë garanci me topin nën këmbë.

“REZERVAT” E LUKSIT – Pastaj janë ata që për momentin janë cilësuar si zgjedhje sekondare duke nisur me Brahim Diaz, i cili ka qenë gjithashtu në formë të shkëlqyer në turneun amerikan të Realit. Për të shkuar te Mario Martin, i vetmi së bashku me Lukas Vaskez që ka luajtur çdo minutë, një mushkëri në mesfushë për italianin. Nuk ishin paraqitjet e tij më të shkëlqyera, por ai ka miratimin e stafit teknik dhe opsionet e tij për të qenë de facto lojtar i ekipit të parë, nëse nuk largohet, janë të shumta.

Arena e Lajmit

ANALIZA/ Turi amerikan, Reali i kthehet skemës 4-3-3

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook