Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha priti në një takim drejtuesin e ICITAP Richard Deasy me të cilin bisedoi për çështjet e thellimit të bashkëpunimit në lidhje me zhvillimin e kapaciteteve të agjencive ligjzbatuese, veçanërisht për Policinë e Shtetit. Ministri Hoxha falënderoi ICITAP dhe qeverinë amerikane për mbështetjen e dhënë dhe konfirmoi gatishmërinë maksimale për thellimin e këtij bashkëpunimi.
Ministri Hoxha është shprehur se: “Jam shumë i kënaqur nga takimi me drejtuesit e Programit Ndërkombëtar të Asistencës për Trajnimet mbi Hetimet Kriminale (ICITAP), në Tiranë. U shpreha mirënjohje për ndihmën që ICITAP ka ofruar për qeverinë shqiptare, e konkretisht për agjencitë e zbatimit të ligjit, në zhvillimin e kapaciteteve të tyre, si dhe konfirmova gatishmërinë maksimale për të çuar më tej e thelluar bashkëpunimin.”.
Në lidhje me vijimësinë e programe të mbështetjes për agjencitë shqiptare, Ministri thekson se: “Z. Richard Deasy më siguroi për vijimin e asistencës, trajnimet për Policinë e Shtetit, Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, si dhe ekspertizën në reformat legjislative, apo investime në fushën e sistemeve të teknologjisë së informacionit.”.
Sa u përket objektivave dhe pritshmërive të bashkëpunimit me ICITAP, Ministri Hoxha bën me dije se:“Theksova se objektiv kryesor në detyrën time si Ministër i Brendshëm dhe pritshmëritë në lidhje me bashkëpunimin me ICITAP, janë trajnimet profesionale të drejtuesve policorë, fuqizimi teknologjik dhe standardizimi i proceseve të punës së strukturave të varësisë i fokusuar në parandalimin e risqeve, rritja e etikës dhe integritetit të punonjësve, duke e bërë policinë një profesion më të besueshëm dhe njëkohësisht të dëshiruar nga të rinjtë e të rejat.”