Situatë e vështirë nga zjarret, Vengu ndjek operacionin në Mesopotam të Finiqit: Prioritet jetët e njerëzve

Forcat e emergjencave civile po vijojnë betejën me vatrat e zjarrit në disa zona në veri dhe jug të vendit. Për të parë situatën në disa nga vatrat në fshatin Mesopotam të bashkisë së Finiqit ishte vetë ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i cili shoqërohej edhe nga drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako.
Në këtë zonë veç forcave vendore janë angazhuar Forcat e Armatosura, dhe ato të bashkive Delvinës, Sarandë, Himarë dhe Dropull.

“Ka 24 orë që luftohet me këto vatra të vështira. Është një terren shumë i thatë, bimësi e dendur. Fatmirësisht nuk kemi pasur zona të banuara të ekspozuara për momentin, por dy familje në lartësitë e Mesopotamit na është dashur t’i evakuojmë me mbështetjen e policisë së qarkut. Të gjitha forcat do të vazhdojnë të qëndrojnë në terren”, theksoi ministri Vengu.

7f271516 1578 471b Bdcc 4957d1e12a0f
7f271516 1578 471b Bdcc 4957d1e12a0f

Sipas ministrit të Mbrojtjes, në këto operacione prioritet janë mbrojtja e zonave të banuara. “Kemi vatra zjarri të konsiderueshme, por po ecim sipas përparësisë duke nisur nga zonat e banuara dhe më pas të alokojmë forca në zonat e mbrojtura apo në zona me rëndësi kulturore më pas. Përparësi janë jetët e njerëzve, siguria e personelit tonë, i cili ka tashmë dy muaj i angazhuar në shuarjen e vatrave të zjarrit. Nuk duhet ta harrojmë këtë pjesë. Është shumë e rëndësishme, me drejtorin kemi folur disa herë kohët e fundit edhe me drejtues bashkish apo prefektët e qarqeve të prekura: Parandalim, parandalim, parandalim! Këtu jemi në fakt në zona ku kemi një bashkëpunim të shkëlqyer edhe të banorëve të zonës që janë vetë të angazhuar, mirëmbajnë zonat, mirëmbajnë parcelat e tyre. Jemi pas një periudhë thatësire të konsiderueshme. Kjo nuk na ndihmon, padyshim prandaj vigjilenca mbetet maksimale, këtu në zonat e banuara’, nënvizoi ministri.

Nga ana e tij Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako tha se kjo është një situatë e pazakontë jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vendet e tjera të rajonit, për shkak të temperaturave të pazakonta. “Edhe fqinji ynë, Greqia është në një situatë alarmante. Jemi në kontakt me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile në Bruksel për ndihma, të cilat varen nga gatishmëria që kanë vendet partnere të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile. Sigurisht ajo që është e rëndësishme është fakti që prioritet absolut janë jetët e njerëzve dhe qendrat e banuara e padiskutim edhe zonat e mbrojtura e zonat e tjera që janë të domosdoshme dhe janë ekonomi shumë të rëndësishme të vendit tone”

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu takoi edhe banorë të zonës, të cilët janë angazhuar vullnetarisht për shuarjen e vatrave të zjarrit. Forcat operacionale do të vijojnë të monitorojnë situatën. Ndërsa detyra e radhës e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, siç theksoi edhe Ministri i Mbrojtjes do të jetë mbështetja e bashkive për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, në mënyrë që më pas pushteti vendor të vijojë me kompensimin për banorët e prekur.

Arena e Lajmit

Situatë e vështirë nga zjarret, Vengu ndjek operacionin në Mesopotam të Finiqit: Prioritet jetët e njerëzve

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook