Policia e Tiranës lajmëron se ka arrestuar dy persona, pasi dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike.
Një shtetas u arrestua në Laprakë, ndërsa tjetri në Kodrën e Diellit. Këta persona dyshohet se e shpërndanin drogën në lagje, duke e shitur atë me doza.
“Tiranë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”.
Goditen nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dy raste të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.
Arrestohen 2 shtetas që ushtronin këtë veprimtari kriminale, sekuestrohen doza me lënde narkotike kanabis, gati për shitje, dhe dy aparate celulare.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të veprimeve operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar antidrogë, të koduar “Tempulli 3”, pasi kanë siguruar informacione për 2 shtetas që shitnin lëndë narkotike kanabis, në doza, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara:
▪️në Laprakë u konstatua automjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin A. T., 30 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis;
▪️në afërsi të Kodrës së Diellit u konstatua shtetasi M. H., 30 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i tyre për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndanin në doza, të cilat i shitnin në lagje të ndryshme të Tiranës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dozat me lënde narkotike kanabis, gati për shitje, dhe dy aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë”, njofton policia.
(Arena e Lajmit)