Nga Igli Çelmeta
Detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të vrasjes së 42-vjeçarit Eglantin Poga në Pogradec.
Pas lehtësimit të akuzës për autorin Denis Meçe, nga “vrasje me dashje” në vrasje nga pakujdesia” nga Gjykata e cila e la në burg pas kërkesës së prokurorisë, News24 mëson detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë dhe veprimet hetimore.
Mësohet se kur ka ndodhur ngjarja dhe 42 vjeçari Eglantin Proga ishte i shtrirë në tokë në gjendje të rëndë, me mbërritjen në vendngjarje të policisë fillimisht është vendosur shiriti skenë krimi, por është lënë shumë pak dhe është hequr. Kjo vërtetohet edhe nga pamjet e kamerave në rrugë.
Më pas transportimit të 42-vjeçarit në spital dhe kur u dha informacioni që Eglantin Proga ndërroi jetë, policia rivendosi sërish shiritat e skenës së krimit në vendngjarje. Krimi ka ndodhur në një lokal dhe sekuestrimi i kamerave u bë pasi u rindërtua ngjarja.
DVR e kamerës së sigurisë të sekuestruar nga policia nuk ka të regjistruar asgjë rreth krimit. DVR është dërguar nga policia për ekspertim nisur nga dyshimi se mund të ketë pasur ndërhyrje.
Autori nuk është zbuluar nga pamjet pasi nuk ka pasur, por është zbuluar pas intervistës që iu është bërë personave të shoqëruar të cilët kanë qenë ne lokal në momentin që ka ndodhur krimi, ku një prej tyre është thyer dhe ka treguar të vërtetën.