Vrasja e Egli Progës, Rama: U krijua çorbë e pistë kundër Policisë dhe Urgjencës, rasti tipik i një maskarade

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me ngjarjen e ndodhur në Pogradec pasditen e së shtunës, ku humbi jetën si pasojë e dhunës 42-vjeçari, Eglantin Proga.

Ngjarja e rëndë ka prodhuar reagime të shumta ndërsa janë hedhur dyshime për fshehjen, manipulimin dhe deri në marrjen në mbrojtje të autorit të dyshuar të ngjarjes, Denis Meçe, për shkak të lidhjeje të tij politike.

Por Kryeministri e konsideron atë që ndodhi si një maskaradë dhe një çorbë të gatuar kundër policisë dhe urgjencës.

Por në një postim në “X”, Rama shkruan se ata që kanë krijuar çorbën e pistë kundër policisë dhe urgjencës tani flasin për deklarata kontradiktore të shtetit apo për vetëdorëzim të autorit, ndërkohë që s’ka pasur asnjë deklaratë kontradiktore apo a thua se vetëdorëzimi brenda pak orësh i autorit dhe arrestimi i tij, janë gjëra kontradiktore, kur në fakt vetëdorëzimi sikundër e tregon qartë e gjithë dinamika e reagimit përkatës është rezultat i punës së policisë e jo një akt vullnetar nga hiçi i vrasësit!

“Ky është rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht dhe si provë e maskaradës mjafton vetëm fakti se askush nga nxitësit dhe komentatorët e maskaradës nuk iu referua asnjë çast komunikatës së Policisë Vendore të Korçës, po së bashku iu referuan dizinformimeve e keqinformimeve të njëri-tjetrit për të helmuar sa më shumë opinionin publik.

Prandaj nuk do as mend e as kalem për të kuptuar se dalja publike e niveleve më të larta të Policisë së Shtetit dhe të Urgjencës Kombëtare, as nuk do të kishte pse të ndoshte nëse burimet e dizinformimit e të keqinformimit do t’i ishin referuar fakteve dhe jo sajesave të njëri-tjetrit.

Dhe faktet janë në dosjet e të dyja institucioneve, madje Urgjenca Kombëtare i ka në një regjistër digjital minutat e sekondat e thirrjeve përkatëse, mu si një pasqyrë kokëfortë për të parë realitetin e të gjithë reagimit shtetëror dhe dallimin e tij me filmin e neveritshëm të të njëjtëve sharlatanë të paudhë që maskaradat i kanë profesion në politikë e në media”, shkruan Rama.

Arena e Lajmit

Vrasja e Egli Progës, Rama: U krijua çorbë e pistë kundër Policisë dhe Urgjencës, rasti tipik i një maskarade

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook