Vrasja e Pogradecit/ Igli Çelmeta: Viktima është qëlluar disa herë, ka hematoma të shumta. Ping-pong mes institucioneve, nuk po zbulohet…

Në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka, në News24 është diskutuar mbi ngjarjen e ndodhur në Pogradec pak ditë më parë, ku 42-vjeçari Eglantin Proga, babai i dy fëmijëve, humbi jetën si pasojë e dhunës që u ushtrua ndaj tij nga 29-vjeçari, Denis Meçe.

Ngjarja e rëndë vijon të prodhojë debate për shkak se janë 3 institucione: Policia, Prokuroria dhe Gjykata që janë përfshirë në një përplasje dhe ka shumë kontradikta.

Gazetari i News24, Igli Çelmeta, referuar dosjes hetimore, tha se ka shumë kontradikta. Çelmeta tha se ngjarja ka ndodhur në orën 18:45 të së shtunës, referuar dëshmive të dhëna nga dëshmitarët okularë.

Referuar deklaratave zyrtare, Çelmeta tha se OPGJ thotë se është njoftuar për ngjarjen në orën 19:00, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku thotë se është njoftuar policia në orën 19:11, Urgjenca Kombëtare thotë se janë njoftuar në 19:11, ndërsa ambulanca ka qenë në orën 19:18, ndërsa në spital ka mbërritur në orën 19:31.

Gazetari tha se referuar të dhënave ambulanca është vonuar 34 minuta.

Në vijim ai tha se çuditërisht nuk ka pamje filmike nga kamera që ndodhet në lokalin ku ka ndodhur ngjarja.

Gazetari tha se në dosjen hetimore nuk ekziston si pistë ajo e gjobëvënies. Në vijim, Çelmeta tha se lidhur me ngjarjen e ndodhur fajtorë janë të gjitha institucionet nga Policia, Prokuroria, Gjykata dhe Urgjenca Kombëtare që nuk kanë kryer detyrën siç duhet.

Çelmeta tha se kemi shumë pak prova të sekuestruara lidhur me këtë ngjarje, ndërsa nuk është sekuestruar as aparati celular i autorit të krimit.

“Prokurorja duhej të shkonte në vendin e ngjarjes, të drejtonte hetimet, ndërsa ajo ka komunikuar në telefon me inspektorin e Policisë, i cili sot është vendosur nën hetim. Si ka mundësi që nuk është sekuestruar aparati celular i autorit të krimit, pasi mund të hidhej më shumë dritë mbi ngjarjen, të zbardheshin tabulatet, a ka pasur komunikim mes autorit dhe viktimës”, tha Çelmeta.

Ai tha se viktima ka shumë dëmtime, që tregojnë se ndaj tij është qëlluar shumë herë nga autori i krimit. “Viktima ka goditje në pjesën e fytyrës, hematoma, mpiksje gjaku, gërvishtje, gjithashtu ka shenja në gjunjë, pra është qëlluar disa herë ndaj 42-vjeçarit”, tha Çelmeta.

Ai tha se ndryshimi i klasifikimit të ngjarjes nga vrasje me dashje në vrasje nga pakujdesia është shumë i rëndë. “Duhet një hetim i plotë, profesional lidhur me këtë ngjarje të rëndë”, tha Çelmeta. Dhe në vijim të detajeve, gazetari zbuloi edhe një që përfshihet në dosjen hetimore, ku policia thotë se ka sekuestruar një telefon I-Phone të një dëshmitari në lokal, por nuk ka marrë kodet për të hapur telefonin. “E kuptoni, policia nuk arrin të marrë as kodet për një telefon që ka sekuetsruar”, tha gazetari.

Ndërsa avokati Arben Llangozi tha se Prokuroria duhet të sqarojë se kush është arsyeja e krimit. Llangozi tha se kjo nuk është hera e parë që Prokuroria e Korçës është përfshirë në skandale të tilla.

Llangozi tha se Policia e Shtetit nuk ka mbledhur provat në mënyrë të plotë, ndërsa Prokuroria ka neglizhuar. “Kjo është një gjë e rëndë”, tha Llangozi.

Arena e Lajmit

Vrasja e Pogradecit/ Igli Çelmeta: Viktima është qëlluar disa herë, ka hematoma të shumta. Ping-pong mes institucioneve, nuk po zbulohet…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook