Policia Rrugore në Elbasan ka reaguar për situatën në Rrethrrotullimin e Bradasheshit, ku është krijuar radhë automjetesh.
Sipas njoftimit të Policisë Rrugore, për momentin ka ngadalësim të lëvizjes së mjeteve, pasi ka fluks të madh makinash në drejtim të Korçës apo jugut të vendit. Po ashtu, Policia Rrugore njofton se ka shtuar patrullat e policisë për menaxhimin e trafikut.
“Policia Rrugore e Elbasanit masa të shtuara për të përballuar fluksin e madh të lëvizjes së automjeteve në drejtim të Korcës dhe zonave bregdetare të jugut.
Policia Rrugore ka rritur prezencën me patrulla të shtuara në akset rrugore Elbasan-Librazhd dhe Elbasan-Rrogozhinë, për të eleminuar vonesat në lëvizje si pasojë e parakalimeve të gabuara apo ngadalësimit të lëvizjes në hyrje të Elbasanit dhe te rrethrrotullimi në Bradashesh.
Deri në këto momente, nuk ka bllokim të qarkullimit të automjeteve, por ka ngadalësim të lëvizjes për shkak të fluksit të automjeteve që kalojnë në këtë rrethrrotullim.
Në ndihmë të shërbimeve të qarkullimit rrugor janë dhe forcat Shqiponja dhe Patrullat e Përgjithshme të cilat vijojnë intensivisht punën për menaxhimin e qarkullimit të automjeteve.
Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në këto akse rrugore të tregojnë durim, të qëndrojnë në radhë dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara, duke u kthyer në burim për përfshirje në ngjarje rrugore apo për bllokim të lëvizjes në të dy kahet e rrugës”, njofton Policia Rrugore e Elbasanit.
(Arena e Lajmit)