Policia në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit” ka arrestuar dy persona, një në Memaliaj dhe një tjetër në Delvinë. Për 38-vjeçarin nga Krahësi i Memaliajt, Gjykata e Kosovës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për “kultivim të lëndëve narkotike”.
Ndërsa, në Kakavijë u kap 52-vjeçari A.O, banues në Delvinë, pasi Gjykata e Sarandës e ka dënuar këtë shtetas me 4 vite e 3 muaj e 24 ditë burgim për veprat penale “Falsifikimi i monedhave, kryer në bashkëpunim” dhe “Vjedhja”.
“Gjirokastër/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.
Kapen në Gjirokastër dhe Kakavijë 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar.
Falë informacioneve të siguruara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Policisë së Kosovës, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, i shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Marglen Çomani, 38 vjeç, banues në fshatin Krahës, Memaliaj.
Gjykata e Kosovës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
—
Kakavijë
Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve të shtuara dhe i shkëmbimit të informacioneve me Komisariatin e Policisë Sarandë, Policia Kufitare kapi në hyrje të RSH-së, shtetasin e shpallur në kërkim Abedin Ogiçi, 52 vjeç, banues në Delvinë.
Gjykata e Sarandës e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet e 3 muaj e 24 ditë burgim, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave e kryer në bashkëpunim” dhe “Vjedhja”.
Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet kosovare për ekstradimin e shtetasit të kapur në Gjirokastër, ndërkohë shtetasi i kapur në Kakavijë ju dorëzua Komisariatit të Policisë Sarandë, për veprime të mëtejshme.
(Arena e Lajmit)