Presidenti Bajram Begaj ka reaguar përmes një mesazhi për ndarjen nga jeta të Vera Zhejit, aktore dhe pedagoge e njohur.
“Sot u nda nga jeta Vera Zheji, zëri ikonik i Radio Tiranës.
Një grua që pothuajse është e vështirë që të ketë të ngjashme në cilësinë e gazetares, spikeres dhe gruas me mendje të lirë.
Spikere, gazetare, aktore dhe pedagoge e Fjalës Artistike në Institutin e Lartë të Arteve, Vera Zheji do të kujtohet me nderim si “zonja e madhe” e mikrofonit dhe skenës”, shkruan Begaj në një mesazh ngushëllues.
Vera Zheji lindi më 30 Janar 1933 në Tiranë. Kur ishte vetëm 15-vjeç, në vitin 1948, Vera Zheji u bë një zë popullor kur nisi të lexonte emisione letrare përpara mikrofonit të Radio Tiranës. Ajo krijoi emisione të ndryshme e mjaft të ndjekura në radio, si Bota e përrallave, Universiteti popullor i radios, Enciklopedia e radios e disa të tjera, të cilët u identifikuan me mënyrën e saj unikale të të lexuarit e të folurit.
Të gjithë mund të kujtojnë zërin e saj magjik kur lexonte përrallat e orës 19.00 në vitet ‘70. Vera Zheji lexoi edhe lajme në italisht, gjuhë që e zotëronte shumë mirë, sepse ishte e prirur për gjuhë të huaja ashtu si vëllai i saj Petro Zheji. Vera Zheji tregoi edhe talentin e saj në aktrim, kur mori pjesë në komedinë “shi në plazh” e pjesë të tjera teatrore.