Drejtuesit e departamentit të Bujqësisë Gjok Vuksani, Eduard Sharka dhe deputeti i Korçës Bledion Nallbati dëgjuan shqetësimet e fermerëve të Devollit. Ata shprehin shqetësim se janë në kushte të mjerueshme pasi prodhimet e tyre nuk arrin të shiten në koston për të cilën kanë punuar. Ata theksuan se nuk subvencionohen nga shteti shqiptar.
Deputeti Nallbati theksoi se në krahasim me shtetin shqiptar Maqedonia apo Kosova ndonëse kanë buxhete shumë të reduktuara, fermeri në rajon konkurron fermerin shqiptar në shitjen e prodhimit.
“Kosova ka një buxhet prej 3.3 miliard euro, Maqedonia ka mbi 5 miliard euro, ndërsa ne kemi buxhet prej 7 miliard euro. Ndërkohë ne subvencionojmë bujqësinë vetëm 40 milionë euro. Maqedonia subvencionon me 140 milionë Euro dhe Kosova po ashtu. Përtej kësaj vjedhin edhe fondet e Bashkimit Europian dhe kanë lënë Shqipërinë sot, fermerin shqiptar në kushtet e mungesës së mbështetjes edhe nga paratë e BE-së. 140 milionë euro që duhej të merrte këtë vit Shqipëria si grant për bujqit u pezulluan për shkak të vjedhjes për të cilën po kryhet një hetim”, tha Nallbati.
Drejtuesi i Departamentit të Bujqësisë Gjok Vuksani vuri në dukje se Partia Demokratike ka hartuar programin e saj. “Është ndërtuar një program në bashkëpunim me ju mbi hallet dhe shqetësimet e fermerëve. Edhe në Lushnje gjendja ishte shumë e keqe ashtu edhe në Lezhë. Si në Devoll është në të gjithë Shqipërinë. Nuk është vetëm Devolli i nënvlerësuar dhe të pafinancuar, por është e gjithë Shqipëria. Në rradhë të parë bujqësia shqiptare është e diskriminuar. Qeveria shqiptare financon pesë herë më pak se Kosova, ku qeveria shqiptare jep 30 milionë euro, Kosova jep 120 milionë euro. Ka një politikë të gabuar, duke filluar nga nafta, tvsh-ja e produkteve bujqësore në shitje dhe blerje, taksa 10% për inputet bujqësore, cilësinë skandaloze të trajtimit të produkteve”, tha Vuksani.
Eduard Sharka theksoi se duhet të rritet subvencioni dhe të barazohet me mesataren e rajonit Kosovë, Maqedoni, Serbi.
“Të bëhet subvencionimi për njësi prodhimi jo për sipërfaqe toke sepse ne kemi shumë probleme me tokën. Shumica janë në emigracion dhe tokën e punon kushëriri pa kontrata të rregullta me mirëbesim kurse kur dorëzon një kunjtal qepë do të japësh 100 lek për këtë produkt në bazë të faturës i dorëzon në bankë. Paratë që ka caktuar qeveria për fermerin të vijnë nëpërmjet njësisë së prodhimit”, tha ai.
Fermerët u shprehën se janë në kushte mbijetese. Ata e cilësuan menaxhimin që po i bëhet nga qveria si mashtrim ndaj tyre. Ata kërkojnë që me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet të realizohen kërkesat e tyre të cilat po nëpërkëmben prej vitesh nga socialistët.
()