Policia e Durrësit ka identifikuar autorin e një aksidenti të ndodhur të mërkurën në rrugën dytësore Plepa-Kavajë, ku mbeti i vrarë avokati Leonard Dingo.
Uniformat blu kanë bërë me dije se 63-vjeçari është qëlluar për vdekje nga një 22-vjeçar. Pas ngjarjes, i riu është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka braktisur automjetin në fshatin Kodër Arapaj.
Automjeti është gjetur e është sekuestruar nga shërbimet policore, por autori i aksidentit është në arrati. Kolegët e viktimës, në një postim në rrjetet sociale shprehen se kolegu Dingo ka pasur çështje të rëndësishme, ndaj nuk përjashtojnë mundësinë që ngjarja të jetë e qëllimshme.
“Ka më shumë se 48 orë që në zonën e Golemit të Durrësit ka ndodhur një aksident me karakteristika krimi, ende i pazbardhur. Ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti të ndodhur avokati i njohur Leonard Dingo. pranë shtëpisë së tij në një rrugë dytësore rreth orës 12:00 të datës 20 gusht. Duke ditur çështjet delikate që mbronte avokati Dingo, dyshimet e arsyeshme çojnë përtej një aksidenti të zakonshëm, sipas burimeve konfidenciale, deri tani makina që shkaktoi aksidentin u gjet e braktisur U identifikua zona e Shena Vlashit, targa dhe për rrjedhojë edhe pronari i makinës, por ajo që do të çonte në zbardhjen e aksidentit është ende mister !” shkruan faqja Avokatët Penalistë.
(Arena e Lajmit)