Koordinatori për Programin Ekonomik në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti, është shprehur se Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk ka thirrur një mbledhje të Këshillit Bashkiak për miratimin e ndihmës ekonomike për muajin gusht.
Teliti shtoi se mbledhja e Këshillit duhej të ishte njoftuar të paktën pesë ditë përpara, por deri tani nuk është bërë asnjë komunikim në këtë drejtim.
Ai akuzoi Veliajn dhe këshilltarët e tij për mohimin e ndihmës ekonomike për qindra familje të varfra në Tiranë, duke i lënë ato pa mbështetje.
Reagimi i plotë:
SKANDAL: VELIAJ NUK MBLEDH KËSHILLIN BASHKIAK PËR TË MIRATUAR NDIHMËN EKONOMIKE PËR GUSHTIN.
Nuk ka mbledhje të Këshillit Bashkiak për muajin gusht, pasi nëse do kishte do duhej lajmëruar të paktën 5 ditë përpara (afati i fundit i njoftimit ishte sot dhe asnjë njoftim nuk është bërë).
Kryebashkiaku i antiplumbit dhe këshilltarët karton ngritësa të emëruar prej tij, po i mohojnë kështu ndihmën ekonomike qindra e qindra familjeve të varfëra të Tiranës, që sytë i kanë vetëm te lëmosha bashkiake.
Kjo është bashkia e kryeqytetit, bashkia që bën show dhe propagandë me të varfërit, ndërkohë që i braktisin ata totalisht në mëshirë të fatit.
Veliaj dhe këshilltarët e tij ti lejnë pushimet e gjata që paskan marrë, të mbledhin Këshillin Bashkiak një orë e më parë dhe të miratojmë sa më shpejt pagesat e ndihmës ekonomike.
Nëse nuk ua ndjen për ndihmën ekonomike të nevojtarëve, të mbyllin sytë dhe të “imagjinojnë” sikur do miratojnë ndonjë vendim të porositur nga ndonjë mik oligark, të cilët kurrë nuk presin kaq gjatë sa të varfërit e kryeqytetit, përkundrazi.