Shteti nuk paguan shtetin/ Borxhi që entet publike i kanë njëra-tjetrës arrin në 1.7 mld euro

Borxhi i ndërsjellët i ndërmarrjeve shtetërore arrin në 1,7 mld euro në maj 2024, duke u rritur më tej në krahasim me majin e vitit 2023 me rreth 47 milionë euro më shumë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, totali i detyrimeve të prapambetura të ndërsjellta deri në fund të muajit maj 2024, rezulton në një shumë totale progresive 172.57 miliardë lekë (1.7 mld USD).

Kjo shumë është 2.8 % ose 4.7 miliardë lekë më e lartë se në fund të majit 2023. Këto detyrime janë sa 25% e të ardhurave buxhetore të planifikuara për këtë vit.

Totali i detyrimeve të ndërsjella që KESH sh.a ka deri në fund të muajit maj 2024 ndaj palëve të treta rezulton në 36.71 miliardë LEK, 6.4% më i lartë krahasuar me 5-mujorin e parë 2023.

Totali i detyrimeve të ndërsjella që OST sh.a ka deri në fund të muajit maj 2024 ndaj palëve të treta rezulton 19.66 miliardë LEK, ose 0.5% më i ulët se 5-mujori 2023.

Totali i detyrimeve të ndërsjella që OSHEE Group sh.a ka deri në fund të muajit maj 2024 ndaj palëve të treta rezulton 69.18 miliardë LEK, ose 14% më i lartë se 5 mujori 2023.

Totali i detyrimeve të ndërsjella që ndërmarrjet U-K kanë deri në fund të muajit Maj 2024 ndaj palëve të treta rezulton 40.92 miliardë LEK, ose 7.66% më i lartë se 5 mujori 2023.

Totali i detyrimeve të ndërsjella që Ministritë e Linjës/Institucionet Buxhetore kanë deri në fund të muajit Maj 2024 ndaj palëve të treta rezulton 6.1 miliardë LEK ose 9 % më shumë se 5 mujori 2023.

Në kuadër të reformës në sektorin e energjisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, bashkëfirmosën Urdhërin e Përbashkët “Mbi zbatimin e planit të masave për reduktimin e detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë elektrike”, nëpërmjet së cilit, ndërmarrjet e sektorit energjitik raportojnë në mënyrë periodike mujore, mbi shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të ndërsjella ndërmjet sektorit të energjisë dhe entiteteve të tjera publike.

Gjatë vitit 2024, në përputhje me udhëzimin e sipërcituar, MF ka monitoruar periodikisht mbi bazë mujore detyrimet e ndërsjella të raportuara nga ndërmarrjet e sektorit të energjisë dhe entiteteve të tjera publike. Procesi i monitorimit po tregon se vala e detyrimeve vijon të rritet në vend që të ulet.

Borxhi i ndërsjellët i ndërmarrjeve shtetërore u shua në vitin 2014 pas një kredie me shumë se 700 milionë euro që u mor për të shlyer detyrimet e krijuara deri në vitin 2013, stoku i të cilave ishte rreth 7,1 miliardë lekë.

Qeveria shqiptare forcoi rregullat, ligjet dhe udhëzimin për të shmangur krijimin e detyrimeve të prapambetura, por ato janë rikthyer në vlera edhe më të larta.

Ministria e Financave raporton se pavarësisht rezultatit financiar pozitiv për periudhën T1 2024, shoqëritë publike vazhdojnë të përballen me një situatë likuiditeti të pamjaftueshme, të mbartur nga vitet e kaluara, e cila ka bërë të pamundur shlyerjen e të gjithë detyrimeve sipas planit vjetor.

Një tjetër faktor që ka ndikuar në situatën aktuale janë edhe vonesat në shlyerjen e detyrimeve të ndërsjella nga ndërmarrjet U-K./Monitor

Arena e Lajmit

Shteti nuk paguan shtetin/ Borxhi që entet publike i kanë njëra-tjetrës arrin në 1.7 mld euro

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook