Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti në Kryesinë e Kuvendit, Ambasadorin e Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, Ambasadorin në Hungari, Ilirian Kuka, Ambasadorin në Këshillin e Evropës, Dastid Koreshi, dhe Ambasadoren në Itali, Anila Bitri Lani.
Me Ambasadorin e Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, Kryetarja Spiropali diskutoi mbi vijimin e bashkëpunimit të shkëlyer të Kuvendit me Këshillin Kombëtar të Austrisë dhe aktivitetet në zbatim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes dy parlamenteve.
Me Ambasadorin e Shqipërisë në Hungari, Ilirian Kuka, Spiropali diskutoi mbi intensifikimin e bashkëpunimit shumë të mirë parlamentar dypalësh, mbështetjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE gjatë Presidencës Hungareze si edhe kontributin e Hungarisë për mbështetjen e Shqipërisë dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor nga vendet e Grupit të Vishegradit.
Me Ambasadorin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, Dastid Koreshi, Spiropali shkëmbeu mendime mbi bashkëpunimin e Kuvendit me KiE dhe Asamblenë Parlamentare, ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve pas daljes së Shqipërisë nga sistemi i monitorimit të përhershëm të KiE si edhe vijimin e përpjekjeve dhe të lobimit për pranimin e Kosovës në KiE.
Me Anila Bitri Lanin, Ambasadore në Itali, biseda u përqëndrua në bashkëpunimin e Kuvendit me Dhomën e Deputetëve dhe Senatin e Italisë dhe mbështetjen e bashkëpunimit dypalësh.
(Arena e Lajmit)