Dy shqiptarë të shpallur në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri janë arrestuar në Gjermani, në kuadër të operacionit tv koduar “Para drejtësisë”.
Gazetari Igli Çelmeta raportoi për Arena e Lajmit se të arrestuarit janë Fabio Ballabani alias Fabio Zyberaj, dhe Erald Krasniqi.
Fabio Ballabani, ishte shpallur në kërkim nga SPAK, ndërsa GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg,” për veprat penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore,” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i Strukturuar Kriminal,” dhe “Kryerja e veprave penale nga Grupi i strukturuar kriminal dhe Organizata kriminale.”
Ai akuzohet se në vitin 2019, ka shtrire në tokë një shtetas duke i vënë pistoletën në gojë dhe e ka kërcënuar për ta vrarë për shkak të detyres së bashkeshortes së tij. Bëhet fjalë për kërcënimin e Kristaq Priftit, bashkëshortit të gjyqtares, Saida Dollani. Ai denoncoi se u kërcënua me pistoletë teksa gruaja ishte pjesë e trupës gjyqësore ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit të tij.
Ndërsa, Erland Krasniqi akuzohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Renato Bajraktari, ngjarje e ndodhur në maj 2024, në Durrës, tek “Rrethrrotullimi i Plepave”.
Njoftimi nga Policia
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme me partnerët dhe agjencitë e zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë vendit për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohen në bashkëpunim me partnerët gjermanë dy operacione të koduara “Para drejtësisë.”
Operacionet u realizuan falë sigurimit të informacionit nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit në kohë me Interpol Wiesbaden/Gjermani, nëpërmjet Interpol Tiranës.
Në kuadër të këtyre operacioneve janë arrestuar në Gjermani shtetasit:
– F. B., alias F. Z., 37 vjeç, lindur në Vlorë.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg,” për veprat penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore,” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i Strukturuar Kriminal,” dhe “Kryerja e veprave penale nga Grupi i strukturuar kriminal dhe Organizata kriminale.”
Përmbledhje e fakteve: Ky shtetas dyshohet se në vitin 2019, ka kërcënuar me armë zjarri pistoletë bashkëshortin e një gjyqtareje e cila ishte pjesë e trupit gjykues në një gjyq që zhvillohej kundër një grupi të krimit të organizuar. Nga hetimet e kryera dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, është identifikuar si autor i këtij sulmi shtetasi F. B., alias F. Z.
–
– E. K., 25 vjeç, lindur në Kavajë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në maj 2024, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg,” për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit.”
Përmbledhje e fakteve: Ky shtetas, në maj 2024, në Durrës, tek “Rrethrrotullimi i Plepave,” pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri shtetasin R. B.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Wiesbaden/Gjermani për ekstradimin e këtyre dy shtetasve drejt vendit tonë.