Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar, organizoi në “Shtëpinë e Futbollit” një takim ndërgjegjësues mbi dhurimin e gjakut. Pjesëmarrës në këtë takim ishin pjestarë të administratës së FSHF-së dhe përfaqësues të Kryqit të Kuq Shqiptar, të cilët zhvilluan një sesion informimi mbi rëndësinë e dhurimit të gjakut, procedurat e dhurimit, benefitet e tij dhe kujdesi pas përfundimit të procesit.
Fushata e ndërgjegjësimit mbi dhurimin e gjakut fokusohet në nevojën e vazhdueshme për gjak të fëmijëve talasemikë, rritjen e aksidenteve automobilistike dhe shumë raste të tjera urgjence që mund të rrezikojnë jetën e pacientëve.
Në fund të sesionit, mjekja e pranishme në panel iu përgjigj pyetjeve të drejtuara rreth fushatës së ndërgjegjësimit dhe disa pjestarë të administratës së FSHF-së dolën vullnetarë për të dhuruar gjak.
Në ditët në vijim, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” do të ngrihet një kamp për dhurimin e gjakut për vullnetarët, duke nisur nga administrata e FSHF-së, me synimin për ta shtrirë fushatën ndërgjegjësuese edhe në klubet e kampionatit shqiptar.