Inter tregon yjet, vërteton pse janë ata kampionët në fuqi. Ekipi i Simone Inzaghi dhuron show përballë Atalanta-s së Gjimshitit, një fitore me “poker” golash që konfirmon statusin e tyre si favorit.
Në “San Siro” zikaltërit ishin të papërmbajtshëm, duke kaluar në avantazh që në minutën e 3-të, ku një devijim i pafat i kapitenit kuqezi solli golin e parë. Shtatë minuta më pas, Barella me një goditje fluturimthi realizoi një super gol duke dyfishuar shifrat. Kjo nuk ishte mbrëmja më e mirë për Gjimshitin pasi qendërmbrojtësi shqiptar ishte me fat ku topi i devijuar prej tij u përplas në shtyllën pingule.
Atalanta ishte e pafuqishme për të reaguar, ku me fillimin e pjesës së dytë Thuram mori stafetën duke realizuar një “dopietë” golash. Sulmuesi francez tregoi një nuhatje të vërtetë prej “bomberi” pasi të dy golat ishin thuajse identik duke i “vjedhur” brenda në zonë. Inzaghi aktivizoi pas minutës së 61-të edhe Kristjan Asllanin. Për sa kohë ishte në fushë, Asllani u vlerësua me notën 6. Në përfundim të ndeshjes, Asllani foli për faqen zyrtare të klubit:
“Është një fitore e rëndësishme, të gjithë e dinë se sa e fortë është Atalanta. U treguam të zonë në gjysmë orën e parë, më pas u treguam të zotë ta administronim si duhet. Janë tre pikë thelbësore. Në nivel personal për mua këto minuta janë shumë të rëndësishme. Duhet të tregohem i zoti t’i shfrytëzojë si duhet”, u shpreh Asllani pas ndeshjes. I kënaqur me këtë fitore u shfaq edhe Inzaghi, por trajneri i Inter shtoi se të përsërisin vitin e fundit do të jetë e vështirë pasi edhe klubet e tjera janë përforcuar shumë, kanë investuar fuqishëm këtë sezon.
()