Kukësi ka sot, ora 17:00, një provë të vërtetë force, për të treguar se fitorja në ndeshjen e parë nuk ishte një aksident. Edhe pse përballë Vorës, verilindorët nuk hyjnë në fushë si favoritë, duket se trajneri Ilir Spahiu ka bërë gati “kurthin” për të mos dalë pa pikë nga ky 90- minutësh.
Duke ditur vonesën në përgatitje dhe për më tepër me një skuadër të mbushur me djem të rinj, ku një pjesë të tyre klubi i ka prezantuar dje, shpresojnë të zënë “mat” kundërshtarët me anë të kundërsulmit.
Të paktën, kjo është lënë të kuptohet përgjatë seancave stërvitore gjatë kësaj jave, me një mbrojtje të fortë dhe me forca të shumta në mesin e fushës, për të shpresuar më pas tek individualitetet dhe mundësitë në sulm nga ana e Beshirajt i mbështetur nga Hasaj dhe Birçaj. Edhe kundër Erzenit, një javë më parë, kuksianët arritën të merrnin rezultatin duke menaxhuar si duhet forcat dhe në fund të ndëshkonin kundërshtarin për të marrë fitoren.
Kundër Vorës, Kukësi nuk do të ketë as presionin e pikëve si një ndeshje shtëpie dhe në këtë mënyrë duket se janë më të qetë ditën e sotme. Trajneri Ilir Spahiu shpreson në grumbullimin e sa më shumë pikëve në javët e para, për të pritur më pas arritjen e formës maksimale nga lojtarët e afruar rishtazi, për të mos ndier më inferioritetit që mund të ketë si pasojë e nisjes vonë të përgatitjeve.
Një barazim në këtë transfertë do të rriste edhe më shumë besimin në kampin verilindor, sa i përket vazhdimësisë dhe pretendimeve më pas edhe në kampionat. Momentalisht, dihet që synimi parësor është mbijetesa në Kategorinë e Parë.