Nisja e sesionit të ri parlamentar/ Begaj mesazh Kuvendit, nga lufta ndaj korrupsionit te mbrojtja e qytetarëve nga sulmet kibernetike, cilat janë porositë për deputetët

Presidenti Bajram Begaj ka ndarë sot një mesazh për Kuvendin, me nisjen e sesionit të ri parlamentar.

Mesazhi:
Sesioni i ri parlamentar hapet sot në një kohë që do ta cilësoja shpresash e pritshmërish.
Ne shqiptarët kemi treguar se dimë të arrijmë rezultate kur duam dhe kur bëhemi bashkë. Plotësimi i kuadrit ligjor për mundësimin e votës së Diasporës në zgjedhjet e ardhshme është një gur kilometrik dhe dëshmi e vullnetit dhe e përgjegjësisë sonë të përbashkët.
Ndërkohë, mandati parlamentar po shkon drejt fundit dhe momenti për të peshuar arritjet e sukseset, mangësitë dhe dështimet, për të vlerësuar vetveten, por edhe për t’u vlerësuar nga publiku, po afron.
Në këtë shtator të ri, imazhi dhe performanca parlamentare janë sa të dëshiruara, aq edhe të domosdoshme që Kuvendi ynë të jetë arena frymëzuese e përballjes qytetare, ku zëra të ndryshëm përfshihen në një dialog të frytshëm.

Rrugëtimi i vendit tonë drejt konsolidimit të demokracisë ka qenë sfidues.
Megjithatë, në vigjiljen e 112-vjetorit të shtetit shqiptar dhe të 33-vjetorit të pluralizmit, çështja e dialogut politik në vend dhe në këtë hapësirë të shenjtë të demokracisë duhet të mbetet prioritet. Duhet këtu, në këtë Kuvend, të ngjizet e të lulëzojë si pasqyrë e rritjes sonë të përbashkët dialogu qytetar e demokratik mes forcave politike, mendimeve e qëndrimeve të ndryshme.

Të nderuar deputetë,

Kalendari i reformave integruese është i ngjeshur dhe detyrat para nesh janë të mëdha e kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm. Kuvendi duhet t’i përqendrojë përpjekjet e tij legjislative në objektivin tonë kryesor kombëtar: anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Kjo kërkon përmbushjen në kohë të masave ligjore të përfshira në Planin Kombëtar të Integrimit Evropian. Përtej tij, e bashkë me këtë plan, ka një seri iniciativash të tjera që duhet të hulumtohen e të trajtohen nga komisionet parlamentare e pastaj nga vetë Kuvendi. Në këtë kuadër, sjell në vëmendjen tuaj mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe nevojën për përmirësimin e legjislacionit ekzistues.

Më lejoni të theksoj se nismat legjislative duhet të bazohen në shqetësimet reale të qytetarëve tanë dhe në sektorë të ndryshëm, si: ekonomia, shëndetësia, drejtësia, arsimi, mjedisi dhe drejtësia sociale midis të tjerave.
Hapa konkrete ligjore duhen ndërmarrë në rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale, në mënyrë që qytetarët tanë të jenë sa të mbrojtur, aq dhe të mbështetur në përdorimin e saj.
Ligje të tjera presin përmirësim dhe, në këtë drejtim, vigjilenca dhe kontrolli parlamentar duhet të jenë në nivelin më të lartë. Ne duhet të sigurojmë që çdo ligj që miratohet të jetë në përputhje me interesat e qytetarëve dhe me standardet më të larta demokratike. Për këtë kërkohet angazhim i përbashkët dhe përpjekje të vazhdueshme për të siguruar që Kuvendi të jetë gjithmonë i përkushtuar dhe të përmbushë rolin e tij mbikëqyrës, të garantojë balancën e pushteteve, si dhe të mbrojë interesat e popullit. Është një moment që kërkon maturi, profesionalizëm, atdhedashuri dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj qytetarëve tanë.

Të nderuar deputetë,

Një çështje që ka të bëjë sa me integrimin evropian, aq edhe me zhvillimin e vendit, është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, një element që fatkeqësisht po kthehet në refrenin e gjithhershëm të çdo fjalimi.
Parlamenti duhet të mbështesë plotësisht reformën në drejtësi, institucionet tona të drejtësisë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, duke forcuar kapacitetet e tyre financiare, njerëzore dhe infrastrukturore.
Inkurajoj Kuvendin të promovojë politikën e antikrimit dhe antikorrupsionit si një përballje reale me një të keqe që duhet ta luftojmë në çdo nivel e çdo fushë të këtij fenomeni gërryes për ekonominë dhe kërcënues për demokracinë.

Të nderuar deputetë,

Përgjegjësitë e sipërpërmendura shkojnë përtej agjendës sonë evropiane. Ato janë të domosdoshme që Shqipëria të lundrojë qetësisht e të ruajë drejtimin e saj në një botë globale plot me sfida nga më të ndryshmet, si sfidat e sigurisë, apo sociale dhe kulturore.
Ato kërkojnë që ne të përditësojmë vazhdimisht strategjitë dhe kornizat tona ligjore për t’u përshtatur me ndryshimet gjeopolitike dhe zhvillimet e shpejta teknologjike.
Kërcënimet klimatike dhe, në veçanti ato kibernetike, kërkojnë vëmendjen tonë të menjëhershme e të vazhdueshme.
Ndërsa i afrohemi një viti të ri zgjedhor, ju bëj thirrje ta ushtroni mandatin tuaj me përgjegjësi edhe në këtë drejtim.

Të nderuar deputetë,

Ne shqiptarët jemi prezentë në mbarë globin duke shkëlqyer në fusha të ndryshme, nga teknologjia, tek arti. Kombi ynë përfaqësohet çdo ditë e më shumë prej individëve, puna, përpjekja dhe arritja e të cilëve rrezatojnë ndërkombëtarisht dhe na bëjnë krenar.
Shqipëria është një vend që triumfon, pavarësisht vështirësive, një vend i bekuar për nga natyra dhe me natyrë njerëzore rrezatuese të vlerave me të mira mesdhetare e evropiane.

Në këto kohë kur sakrificat e brezave po kthehen në mbështetje të gjeneratave të reja, duke i kthyer sfidat e ndryshme globale e rajonale në mundësi për vendin tonë, është e domosdoshme që parlamenti të bëhet aleati kryesor i përparimit të vendit tonë.
Le ta kthejmë këtë hapësirë në Kuvendin e ideve më të bukura shqiptare e përballjes më të pasur demokratike të rajonit.

Ju uroj suksese në vitin e ri parlamentar!

Arena e Lajmit

Nisja e sesionit të ri parlamentar/ Begaj mesazh Kuvendit, nga lufta ndaj korrupsionit te mbrojtja e qytetarëve nga sulmet kibernetike, cilat janë porositë për deputetët

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook