Studenti shqiptar ekselent, Denis Preka, vetëm 21 vjeç humbi jetën tragjikisht më 18 mars të vitit 2019. Shkak për vdekjen e ekselentit shqiptar ishte një drogë e cila iu dha nga shoku i tij, Paul Wiedmaier të cilin Denisi e quante dhe e besonte si vëlla. Atë mbrëmje, Preka ndodhej te shtëpia e Paul për të studiuar së bashku, pasi po përgatiteshin për provimin e të nesërmes në universitet. Në banesë me ta ndodhej edhe Connor Gibaratz si dhe Nick Remington, shokë me Paul Wiedmaier.
Ky i fundit, i propozon dhe i jep ilaçin Adderall, Denisit, që kryesisht përdoret për t’u përqendruar më mirë dhe medikamenti frekuentohet nga të rinjtë dhe studentët për të përballuar mbingarkesën gjatë periudhës së studimeve dhe provimeve. Por në fakt pas autopsisë dhe analizave, ajo rezultoi se ishte MDMA, droga më në modë tek të rinjtë, apo e quajtur edhe “Molly”, tip ekstazie që të jep adrenalinë, por edhe të rrezikon jetën nëse kthehet në mbidozë.
Gjykata amerikane e Wayne në Detroit ka gjobitur me 75 milionë dollarë të riun vendas Nick Remington, që akuzohet se u bë shkaktar i vdekjes së studentit shqiptar ekselent Denis Preka, 21 vjeç.
Por në atë që thekson familja e të riut, “pabesia” u bë nga shoku i tij i ngushtë, Paul Wiedmaier, që “Denisi e besonte si vëlla” dhe as nuk e ndihmoi, por i kërkoi shitësit të drogës që kishte ftuar atë natë në shtëpi, që t’i jepte drogën 21-vjeçarit shqiptar.
Dhe Preka nuk e përballoi dot efektin në organizëm të shkaktuar nga lënda psikotrope, teksa humbi jetën më pas, i pandihmuar nga 3 të tjerët.
Ai priste të diplomohej njëkohësisht në dy universitete në SHBA.
Si e vranë Denisin tre “shokët”
Familja e Denis Prekës kaloi një kalvar të gjatë gjyqësor prej gati 5 vitesh. Vendimi historik i Gjykatës, dëmshpërblimi prej 75 mln dollarësh amerikanë duket se ka vendosur drejtësinë, më në fund.
“Natën e 18 marsit 2019, Denis shkoi në shtëpinë e Paul Wiedmaier, të cilin Denis e besonte si mikun e tij më të mirë. Ai synonte të kalonte natën duke studiuar dhe duke u përgatitur për një test të nesërmen. Në vend të kësaj, ai u tradhtua nga Pali dhe të nesërmen e nxorën të vdekur nga shtëpia. Kjo është historia se si Denisi u helmua, u sulmua dhe u vra, ndërsa “shoku i tij më i mirë” jo vetëm që nuk e ndihmoi atë, por ishte një bashkëpunëtor në krimin e tmerrshëm”, shkruhet në faqen “DenisPreka.org”, e hapur nga vetë familja për të treguar të vërtetën e fatit tragjik të djaloshit.
“Shokët” plan për të dehur Denisin me MDMA
Gjithashtu në faqen DenisPreka.org, jepen edhe detajet e ngjarjes fatkeqe që i mori jetën të riut shqiptar. Tre “shokët” kishin thurur një plan për të dehur Denis Prekën me MDMA në vend të ilaçit Adderall.
“Paul më 18 mars 2019, ora 22:00 kishte ftuar në shtëpinë e tij dy miq: Connor Gibaratz dhe Nickolas Remington, një tregtar i njohur droge në Universitetin e Miçiganit. Në një moment të mbrëmjes, ndërsa Denisi po studionte, ai i kërkoi Paulit një Adderall, një pilulë e zakonshme për studimin, Paul i tha Denisit se nuk kishte Adderall. Në vend të kësaj, ai i tha Remington dhe Gibaratz se Denisi po kërkonte Adderall dhe plani ishte hartuar për të dehur Denisin me MDMA dhe Methylone në vend të kësaj”, shkruan familja.
Gjithashtu familja nëpërmjet pamjeve, denoncoi të tre të rinjtë se në vend ta ndihmonin Denisin që mezi po merrte frymë, u tallën dhe dhunuan atë duke i hedhur një tjetër lëndë kimike në fytyrë. Autopsia zbuloi se shkaku i vdekjes ishte pikërisht droga që i shkaktoi edemë në tru dhe mushkëri, derisa i mori jetën.
Tre të rinjtë nuk kërkuan ndihmë për 21-vjeçarin shqiptar
“Rezultatet e toksikologjisë treguan sasi masive të MDMA dhe metilonit në organizimin e Denisit. Gjatë gjithë sprovës katër orëshe, asnjëri prej tyre nuk telefonon 911 për të ndihmuar Denisin. Për më tepër, pasi e kuptojnë se ai kishte vdekur, ata vënë në veprim një ngjarje të rëndë për të mbuluar krimin dhe për të mbrojtur Nicholas Remington, ai që siguroi drogën që vrau Denisin”, shkruhet në faqe.
Në transkriptet e zbardhura, Remington pranon se i kishte dhënë Molly (MDMA) dhe Metilon, teksa të tjerët theksojnë se si ai i dha aq shumë drogë Denisit.
“Ajo që i ndodhi djalit tim është prova që Paul Wiedmaier nuk ishte një mik më i mirë apo një person për t’u besuar. Ai nuk kujdesej për sigurinë e Denisit dhe as për jetën e tij. Në vend të kësaj, ai lejoi një anëtar të varfër të komunitetit tonë, Nicholas Remington, brenda shtëpisë së tij dhe kontribuoi në katër orë vuajtje të paimagjinueshme për Denisin. Vuajtjet që vazhduan deri në frymën e fundit”, shkruan familja në fund të faqes, teksa këshillon prindërit që të kenë kujdes me fëmijët e tyre, t’u gjenden pranë dhe t’i ruajnë nga shoqëria jo e mirë.
Studenti që do të diplomohej në dy Universitete
Denis Preka ka lindur në Bolzano të Italisë dhe shkoi në SHBA me nënën e tij kur ishte vetëm 1 vjeç. Ai shkoi në shkollën katolike St. Lawrence dhe më vonë ndoqi shkollën e mesme në Kolegjin De La Salle.
Denis u diplomua me nderime, themeloi klubin Modeli i Kombeve të Bashkuara dhe mori pjesë në futboll, lakros, pistë dhe fushë dhe not. Ai vazhdoi karrierën e tij akademike në Universitetin e Detroit Mercy, duke u diplomuar në Psikologji dhe Biznes.
Më vonë, ai u transferua në shkollën e tij të ëndrrave, Universiteti i Miçiganit. Ai aspironte të ndiqte Shkollën e Biznesit Ross dhe të ndiqte një karrierë në Ligjin e Biznesit.
Denisit i pëlqente gjithashtu të udhëtonte dhe themeloi agjencinë e tij të udhëtimeve, Amerigo Travel, teksa merrte pjesë edhe në aktivitete me organizata joqeveritare apo bamirëse.
()