Skuadra e Partizanit në këtë merkato të verës u përfshi nga lëvizje të shumta në dalje dhe në hyrje. E në fund mund të themi se ekipi i kuq nuk është i gjithi i dubluar dhe në rast dëmtimesh, trajnerit Veselinoviç do t’i duhet të bëjë modifikime me lojtarë jo në role natyrale. Mbrojtja është e dubluar dhe ky është lajm i mirë.
Por në mesfushë të kuqtë nuk e kanë një zëvendësues te Maget, i cili bënte mesfushorin “box to box”, pra shkëlqente në të dyja fazat e lojës. Tentuan Ujkën, por Egnatia u tregua më e shkathët dhe cinike dhe fitoi shërbimet e mesfushorit. Në rolin e Maget tani luan Mehmeti me një tjetër stil loje, teksa treshen bashkë me Rrapajn të kuqtë janë detyruar ta plotësojnë me lojtarë si Kote apo Ismaili, që deri dje fushën e shihnin rrallë. Me siguri në vazhdim në rolin që më parë e mbulonte Murataj do të inkuadrohet Taipi, të cilin dëmtimet e kanë detyruar të ndalet në këtë start kampionati.
Sakaq, ekipi nuk e ka një fantazist, një 10-sh. Në sulm emra ka me shumicë, por reparti nuk mund të quhet i dubluar. Në qendër janë disa lojtarë që luftojnë për një vend në formacion, por në krahë mungojnë alternativat. Në të djathtë është përzgjedhur Zeka dhe aktivizimi i këtij të fundit ka kaluar në plan të dytë të riun Rifa, që pati marrë votëbesimin e Shehit.
I riu nuk është aktivizuar asnjë minutë. Në krahun e majtë, ku luan Cara, të kuqtë nuk kanë një zëvendësues dhe kjo ndoshta shihet si pika më nevralgjike e skuadrës. Kapitenit do t’i duhet të përballojë një aktivizim ndoshta mbi normalen.