Analiza e Neptun Bajkos/ Uzuni duhej futur më shpejt, Sylvinho nuk kuptoi lodhjen e Manajt! Në 20 minutat e fundit humbëm çdo gjë

Nga NEPTUN BAJKO
Sigurisht që duke parë Gjeorgjinë në Europian, por edhe atë fitore të thellë që bëri kundër Çekisë, prisnim të ishte një ndeshje shumë e vështirë. Të them të drejtën, ekipi më pëlqeu në pjesën e parë. Luajti një futboll të thjeshtë, që po e përmirëson lojën në këtë aspekt.

Lojtarët ishin të vëmendshëm dhe vazhdimisht në pozicionet e tyre në fushë dhe me kundërshtarin. Bënë një lojë pozitive për 45 minuta, por pa dhënë ato shkëndijat se po e kërkonim me ngulm fitoren. Deri diku ramë në grackën e gjeorgjianëve, të cilët e zotëronin mirë topin, e qarkullonin atë dhe bënin kombinime për të gjetur hapësira dhe për të na goditur. Gjithsesi, pjesën e parë dua ta cilësoj pozitive për ne.

PROBLEMI NË SULM DHE HOXHA  – Dy gjëra mendoj se e rënduan lojën tonë për t’u mos u shfaqur të plotë, sidomos në aspektin sulmues. Dihej që Rei Manaj do të kishte shenja lodhjeje, sepse harxhoi energji të jashtëzakonshme në ndeshjen me Ukrainën. Futja e Arbër Hoxhës ishte pozitive. Ne jemi një Kombëtare që kemi nevojë për lojtarë si Hoxha dhe Asani, sepse fusin në punë fantazinë dhe lojën krijuese. Edhe në futbollin e sotëm, vlera e këtyre është me evidente se kurrë dhe ka një rendiment të jashtëzakonshëm.

Mbajtja e topit në mënyrë të dobishme shplodh shokët e skuadrës dhe në të njëjtën kohë fut në panik kundërshtarin. Qoftë Asani dhe Hoxha apo ndonjë tjetër që ende nuk po e shikojmë, kanë jo vetëm përgatitjen e mirë teknike, anën e tyre të plotë fizike, por dallohen edhe për krijimtarinë dhe fantazinë në lojë, duke bërë veprime që fusin në alarm të vazhdueshëm mbrojtjen kundërshtare.

NDËRRIMET U BËNË ME VONESË

Në pjesën e dytë u shfaqën disa mangësi. Së pari, ndërrimet u bënë me vonesë. Së dyti, qoftë Uzuni dhe Spahiu që u futën, m’u dukën të pa orientuar se në çfarë pozicionesh do të luanin dhe si do të kërkonin topin apo për çfarë qëllimi ishin futur në fushë.

Kjo ra në sy, sepse në 20 minutat e fundit ekipit tonë i humbi çdo gjë në lojë. U pa që pa një pikë mbështetje dhe pa ndonjë veprim individual, ne nuk dimë të bëjmë zgjidhje. Lodhjen e Manajt duhet ta kishte kuptuar më përpara trajneri, në mënyrë që të fuste Uzunin qendërsulmues më shpejt. Silvinjo duhet ta kishte në qendër të vëmendjes situatën me Manajn dhe ndërrimi të bëhej shumë më shpejt. Megjithatë, në total loja e skuadrës prapë mund të them se nuk ishte e keqe, sepse duhet të jemi të ndërgjegjshëm që përballë kishim një Gjeorgji tepër të organizuar, që njihnin mjaft mirë aspektin mbrojtës dhe sulmues.

Një skuadër që na mbylli të gjithë hapësirat, duke mos na lejuar të shfaqeshim asnjëherë të rrezikshëm në zonë. Nuk kemi bërë asnjë goditje në kuadrat dhe nuk kemi dalë më shumë se dy herë rrezikshëm në anësore, që në fakt është e vetmja zgjidhje që kemi ne si ekip për të mposhtur një mbrojtje të organizuar. Loja në anësore dhe dalja në fundore është e vetmja zgjidhje që kemi, sepse në qendër na mungon një bashkëpunim i tillë për të çarë mbrojtjen kundërshtare. Të gjitha gjërat ne i kemi frytdhënëse vetëm kur shkojmë në fundore dhe krosojmë në zonë nga vijat anësore.

PËRMIRËSIME PËR MIRË, JO THJESHT PËR AKTIVIZIM

Pas kësaj humbjeje të parë në shtëpi në epokën e Silvinjos, mendoj se skuadra duhet ruajtur. Ndeshja me Gjeorgjinë duhet vlerësuar drejt, sepse lojtarët dhanë gjithçka. Nuk kishte ndonjë disnivel në aspektin e lojës në përgjithësi mes nesh dhe Gjeorgjisë.

Natyrisht në karakteristikat individuale dhe në lojën deri diku pa gabime të kundërshtarit, ne nuk kishim mundësi të shfrytëzonim, qoftë hapësirat, po ashtu edhe goditjen e portës. Përballë kishim një skuadër shumë të disiplinuar, që luante dhe nuk shikonte se çfarë bënte Shqipëria. Kundërshtari kishte personalitet, sepse e mbante topin atëherë kur duhej dhe kthehej në veprimet mbrojtës në grup.

Pra, koncepti i gjeorgjianëve ishte se një mbrojtje e mirë është sulmi më i mirë. Këtë dëshirojmë ta kemi në skuadrën tonë, që në momente të caktuara në ndeshjen me Ukrainën, i bëri në mënyrë pozitive. Por, ekipi duhet mbrojtur në këtë aspekt, sepse niveli i lojës nuk pësoi rënie të dukshme dhe lojtarët janë ndërgjegjësuar që kanë një detyrë të vështirë. Sigurisht, duhen bërë herë pas here përmirësime për mirë, jo thjesht për aktivizim lojtarësh.

Arena e Lajmit

Analiza e Neptun Bajkos/ Uzuni duhej futur më shpejt, Sylvinho nuk kuptoi lodhjen e Manajt! Në 20 minutat e fundit humbëm çdo gjë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook