Policia në Tiranë ka identifikuar tre persona, që dyshohet se kanë plagosur një shtetas në kryeqytet. Nga tre të identifikuarit, janë shoqëruar në polici dy prej tyre, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim.
“Plagosën me armë zjarri një shtetas, identifikohen 3 autorët e dyshuar.
Shoqërohen në Polici 2 prej tyre dhe vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një armë gjahu dhe një pistoletë zhurmuese.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, pas marrjes së njoftimit se, ditën e sotme ishte paraqitur në spital për ndihmë mjekësore një shtetas, dyshohet i plagosur me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.
Nga veprimet e shpejta hetimore u bë identifikimi i autorëve të dyshuar, shtetasve G. N., E. N., dhe M. N., të cilët pas një konflikti për motive të dobëta, ditën e sotme, në afërsi të vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i 3-shit”, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin E. N., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Shtetasit G. N., dhe E. N., janë shoqëruar në Polici për veprime të mëtejshme dhe vijon puna për kapjen e shtetasit M. N.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë gjahu dhe një pistoletë zhurmuese.
Materialet i kaluan Prokurorisë”, njofton policia.
(Arena e Lajmit)