Një operacion i Policisë, i koduar “Knock Out 7”, ka rezultuar në ndalimin e dy të rinjve që po përpiqeshin të trafikonin armë zjarri në qytetin e Sarandës.
Operacioni, i zhvilluar nga strukturat e Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Sarandë, ka parandaluar ngjarje të mundshme kriminale.
Në pranga përfunduan M. C., 24 vjeç dhe K. O., 23 vjeç. Pas lokalizimit dhe ndalimit të tyre në aksin rrugor “Sarandë-Skërficë”, gjatë një kontrolli në automjetin e drejtuar nga M. C., dhe në të cilin ndodhej edhe K. O., u zbuluan dhe u sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta tip “Glock” dhe 150 fishekë luftarak. Po ashtu, u sekuestrua një automjet tip “Nissan” dhe një shumë prej 250 eurosh.
Hetimet fillestare sugjerojnë se të dy individët ishin duke transportuar armët me qëllim shitjen e tyre në qytetin e Sarandës. K. O. është identifikuar gjithashtu si punonjës në stacionin zjarrfikës në Këlcyrë, një detaj që do të shqyrtohet gjatë hetimeve të mëtejshme.
Sakaq, materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për ndjekjen penale të veprave “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim.