Java e 5-të e Albi Mall Superligës ka nisur me dy ndeshje interesante, ku skuadrat elitare iu rikthyen kampionatit pas pauzës ndërkombëtare për ndeshjet e kombëtares.
Ballkani shënoi fitore përballë Prishtinës në Suharekë, me rezultat minimal, 1:0, falë golit të Bernard Karricës, në minutën e 82-të. Pas një asistimi të saktë nga Ismajlgeci, Karrica fillimisht u ndal në tentimin e parë nga portieri i Prishtinës, Ardit Nika, por në tentimin e dytë arriti ta dërgojë topin në rrjetë. Ky gol i vonshëm i dha tri pikë të rëndësishme Ballkanit, në një ndeshje mjaft interesante dhe goxha të baraspeshuar, e ku në bankinën e portokallezinjve debutoi Artim Pollozhani. Pas kësaj fitoreje, Ballkani vazhdon të kryesojë me 10 pikë.
Po kaq pikë ka edhe rivali i qytetit, Suhareka, që shënoi fitore në udhëtim kundër Ferizajt, po ashtu me rezultat 1:0. Goli vendimtar në këtë ndeshje u shënua nga Liridon Fetahaj, në minutën e 30-të. Për ferizajasit kjo ishte humbja e tretë. Nesër zhvillohen dy ndeshje tjera: Dukagjini – Malisheva dhe Llapi – Drita, derisa të hënën luajnë Gjilani – Feronikeli.