Opinionisti Aleksandër Çipa, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 komentoi votën e socialistëve për mosdërgim të mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.
Çipa theksoi se shumica socialiste duhet që të bënte një interpretim më dinjitoz juridik të kësaj çështje. Ai tha se ky rast shkakton dhe kosto para-elektorale, prandaj Rama po maksimalizon veprimet e tij në fushatë.
Aleksandër Çipa: Mendoj që në historinë e heqjes së mandateve nga shumica socialiste, ka pasur 2-3 raste, që kanë pasur aspekte reminishiencale me njëra-tjetrën. Sjell në vëmendje rastin e Kokëdhimës, rastin e Beqajt dhe rasti i zonjës Xhaçka. Janë tri modele, që de facto kanë stigmatizuar shumicën socialiste për pretendimet jo vetëm opozitareske, por edhe për recetet juridike që janë ofruar nga zëra të lirë, kryesisht nga sektorë të jurispendencës shqiptare, që ka elemente të standardeve të dyfishta. Do të duhej që shumica socialiste të bënte një interpretim më dinjitoz juridik për rastin Xhaçka.
Maxhoranca duhet të shkonte tek një arsyetim më i maturuar, më profesional, nga pikëpamja e vlerës deontologjike të interpretimit juridiko-parlamentar. Nga ana tjetër, në vlerën politike ta motivonte që kjo është një gjë që nuk mund të penalizojë, për shkak se nuk krijon aq flagranisht konfliktin e interesit. Këtë interpretim nuk e bëri në një vokacion të besueshëm nga deputetë apo përfaqësues të Komisionit të Ligjeve, që e kanë përgatitjen për ta interpretuar.
Në kushtet kur nuk u interpretua, kjo krijoi atë që me të drejtë sot, publiku thotë që shumica e ka ceduar sidomos në sjelljen parlamentare, edhe për atë që unë e quajta pasja e standardeve të dyfishta. Në vlerën politike, raste të tilla duhet t’i marrim në konsideratë, se shkaktojnë një lloj goditje, ndoshta më me efektivitet sesa goditjet që mund t’i japë opozita. Kjo i shkakton edhe një kosto para-elektorale dhe këtë besoj se e peshon Rama. Është ky element që e angazhon dhe e maksimilizon përpjekjen e tij përgatitore”, u shpreh Çipa.
(Arena e Lajmit)