Ministri Gonxhja: Biblioteka Kombëtare në situatë kritike, por nuk do preket ende. Bibliotekë e re Kombëtare pranë Gardës

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ishte sot i pranishëm në seancën dëgjimore në Komisionin për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik. Ai dha lajmin se është duke u punuar për një bibliotekë të re kombëtare.

Godina do të ngrihet pranë Gardës në Tiranë, por ministri tha se e vjetra nuk do të preket, por se aktualisht gjendja e saj paraqitet kritike.

“Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë është një institucion me një rëndësi të jashtëzakonshme dhe kemi një situatë kritike sa i takon kushteve të sigurisë për fondet dhe për të gjithë inventarin, thesarin që kemi në bodrumet e këtij institucioni, ku ne po punojmë për të pasur një qasje tepër kreative në kuptimin ekonomik të fjalës, një nismë të re që kemi bashkë me Bashkinë e Tiranës dhe me shoqërinë që posedon një pjesë të këtij aseti, ne të kemi një marrëveshje të re që do të na bënte që të dilnim me më shumë metra dhe me një zgjidhje përsa i përket krizës që ka kaluar biblioteka shqiptare në vite”, tha Gonxhja.

Ministri u shpreh se biblioteka e vjetër nuk do të shkatërrohet, ajo do të jetë biblioteka në konceptin që ne kemi dhe për këtë do të zhvillohen dëgjesa, një analizë për një vendimmarrje serioze. “Biblioteka e vjetër kombëtare do të jetë atje për një theks ceremonial, muzeal, duke qenë në qendër të qytetit, pranë sheshit Skënderbej”, tha Gonxhja.

Ai nënvizoi edhe se do mendohet një rikonceptim i Pallatit të ri të Kulturës, në shërbim edhe të Bibliotekës Kombëtare.

“Duam që të jetë e vizitueshme dhe të jetë një objekt historik, ku do të kemi fondin historik. Biblioteka e re Kombëtare do të jetë në shërbim të shumë moshave dhe më shumë kategorive. E gjitha kjo do të zhvillohet në një godinë të re, që do të vijë si rezultat i një qasje kreative ekonomike”, deklaroi ministri.

Por në dëgjesë nuk janë dhënë detaje nga plani urbanistik, kosto apo procedurat që do të ndiqen.

(Arena e Lajmit)

Arena e Lajmit

Ministri Gonxhja: Biblioteka Kombëtare në situatë kritike, por nuk do preket ende. Bibliotekë e re Kombëtare pranë Gardës

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook