Dinamo synon rikthimin si në kohët e lavdishme në kampionatin shqiptar. Klubi dinamovit bëri një merkato të kënaqshme, teksa përveç kësaj, afroi në pankinë një trajner ekspert si Ilir Daja.
Drejtori sportiv i “Nëndetëses”, Luan Pinari, në një intervistë ekskluzive në Sport News në News 24, nuk fsheh aspak objektivat. Në bisedën e bërë me gazetaren Trevisa Tufa, Pinari shprehet se tani janë të gjitha mundësitë që skuadra të fitojë titullin.
Si ndiheni në pozcionin e ri Pinari, ku ka më shumë përgjegjësi, presion, se vetëm president të ka mbetur pa bërë te Dinamo…
Në këto momente nuk do doja të isha president, pasi ka ngarkesë. Edhe ky pozicioni im, natyrisht, jam dakord me ju, pasi dihet që ka presion. Gjithsesi, e kemi marrë me dëshirë.
Ilir Daja mund të konsiderohet pa frikë blerja më e rëndësishme, ishte e vështirë të bindit një trajner si Daja?
Unë do i bie faktit te rikthimi. Nuk e quaj blerje, pasi është pjesë e futbollit të Dinamos. Është kënaqësi që të punoj me Dajën. Mendoj që ky rikthim ndodhi në kohën e duhur. Ne po punojmë që të rikthejmë klubin e lavdishëm që ka qënë dikur.
Kishte ndonjë kërkesë specifike, më zbulu ndonjë prapaskenë? 3-Çfarë kontrate keni me Dajën, çfarë plani keni, çfarë projekti?
Të rikthejmë Dinamon aty ku i takon. Presidenti Bardhi po bën një punë të jashtëzakonshme. Të gjithë po bëjnë maksimumin, të gjithë po ndihmojnë. Kjo është diçka shumë e rëndësishme. Na janë plotësuar të gjitha kërkesat që ne të arrijmë diçka këtë sezon. Daja është mëse i duhuri për ta ndihmuar që të futemi në shinat e duhura.
Naser Aliji ishte blerja e fundit, flitet shumë edhe për një tjetër të Kombëtares, Fredric Veseli, ka diçka konkrete?
Siç ishte Aliji, Dinamo është e hapur për të tillë lojtarë. Ne jemi të hapur. Ne i mirëpresim futbollistë të tillë, pasi i shtojnë vlerën skuadrës.
Sa i kënaqur jeni me merkaton e zhvilluar këtë verë, me çfarë note do ta vlerësonit?
Notën nuk e vendosim tani, ne jemi të kënaqur, për hir të së vërtetës. Ne e dijmë që merkato është e vështirë, duke parë periudhën që kemi kaluar. Gjithsesi, duke parë çfarë jemi duke bërë, çfarë synimesh kemi, edhe lojtarët janë më koshient dhe duan të afrohen te ne. Tani me afrimin e Dajës do kemi një lehtësim në merkato, ekipi është në rrugën e duhur.
Shtatë pikë në pesë javë, jeni të kënaqur me pikët?
Si kanë shkuar gjërat, edhe mund të kishim marrë më tepër, por edhe mund të kishim më pak pikë. Ky është fillimi, asnjë ekip nuk e shikoj të kolauduar. Do ishim të kënaqur nëse marrim pikët e nevojshme për të arritur te objektivat.
Çfarë objektivi keni këtë sezon Pinari?
Dinamo po rikthehet si emër i madh. Ne këtë sezon synojmë katërshen e parë, Kupën e Shqipërisë, ndërsa pastaj ia lejmë Final Four çështjen e titullit.
E njeh futbollin shqiptar në çdo detaj, mbi të gjitha ekipet e kryeqytetit. Fillimisht si e sheh Partizanin dhe Tiranën këtë sezon, sigurisht edhe në raport me Dinamon, dhe si e shef derbin Partizani-Tirana këtë fundjavë?
Ndeshja ndaj Partizanit ishte mjaft e bukur. Të kuqtë janë aty, edhe pse kanë patur problematikat e tyre.
Te Tirana ka patur mjaft ndryshime. Te bardheblutë kanë mentalitetin e duhur, nuk e pranojnë që të humbasin. Derbi është gjithmonë derbi, të dyja skuadrat vijnë si të barabarta. Mendoj se kjo ndeshje mund të shkojë drejt barazimit. Një ndeshje që do luhet në një stadium ku ëndërrojnë të luajnë të gjithë, normalisht le t’ia lejmë fushës.
E fundit, një përgjigje të shkurtër, kush e fiton titullin këtë sezon?
Pas Dinamos? (Qesh). Kjo është si të pyes për kombëtaren, normalisht që do them se do fitojë. Unë do them se Dinamo është kandidate. Kampionati shqiptar ka treguar se është i vështirë. Nëse shkojmë në Final Four, kemi premisat më të mëdha për të fituar titullin!
(J.S/)