Zbulimi i Vetting/ 84 ngarkesa toksike u nxorën nga portet shqiptare gjatë 2 viteve të fundit. Drejtori ekzekutiv i BAN: Si i identifikuam kontenierët e nisur drejt Tajlandës

Nga Armand Kullau, emisioni investigativ Vetting

Në fillim të gushtit 2024, Shqipëria do të ishte në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të dyshimeve për transportin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës dhe Kinës. Fillimisht alarmi u dha nga organizata ndërkombëtare mjedisore, Basel Action Network me qendër në Basel.

Eksporti i mbetjeve toksike në mënyrë të paligjshme rrezikon të kthehet në një boomerang për Shqipërinë sepse përveç faktit që mbetjet toksike do të rikthehen në Portin e Durrësit, nga ana tjetër cenohet rëndë imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Por a janë prodhur këto mbetje vetëm në vëndin tonë apo kanë ardhur në mënyrë të paligjshme?

Sipas informacioneve nga BAN, ky nuk është rasti i parë i dyshuar për mbetje toksike nga Shqipëria drejt vendeve të Azisë. Për “Vetting”, drejtori ekzekutiv i BAN, Jim Puckett u shpreh se një dërgesë me mbetje të rrezikshme u bllokua më herët këtë vit nga Agjencia e Doganave Kineze në Fangcheng.

Sipas Jim Puckett “fillimisht dëgjuam për mbetjet nëpërmjet sinjalizuesit tonë në faqen tonë të internetit”. “Zotëria, besoj se ishte zotëri na kontaktoi në mënyrë që mos të zbulohej se kush ishte ai vetë, por kishte informacione për eksportin e paligjshëm të mbetjeve nga Shqipëria. Ai kishte informacion për ne në korrik 2024, ai nuk ishte në gjendje të na tregonte për sa kohë po ndodhte kjo dukuri, por ishte në gjendje të na tregonte se ishte bërë një dërgesë e mëparshme, një dërgesë shumë e madhe prej 115 kontenierësh, të cilët shkuan në Kinë.”

Autoriteti Portual në Singapor ka bllokuar ngarkesat e nisura nga Shqipëria dhe pritet që këto ngarkesa të rikthehen në Durrës në muajt në vazhdim, të cilat dyshoheshin se kishin si destinacion Tajlandën.

“Vetting” ka kryer një investigim që hedh dritë mbi të gjithë aktorët e përfshirë në trafikun e mbetjeve të rrezikshme. Për herë të parë zbulohet fakti se eksporti i mbetjeve, duke përfshirë edhe mbetjet e rrezikshme nga portet shqiptare ka ndodhur 84 herë gjatë dy viteve të fundit me autorizimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nën drejtimin e Mirela Kumbaros.

Madje, në shumë raste këto mbetje kanë kaluar tranzit nga Shqipëria, duke vendosur në pikëpyetje shëndetin publik dhe sigurinë kombëtare.

Sipas ish-zëvendësdrejtorit të Forcave detare Artur Meçollari “Jemi në kushtet që është cënuar siguria e Portit të Durrësit, pra është cënuar siguria e portit të Durrësit, kemi cënim të mjedisit, të jetës dhe të shëndetit dhe si e tillë, duhet që të trajtohet si një kërcënim i sigurisë kombëtare”

Në fillim, BAN ka ngritur shqetësimin për dy anijet e firmës “MAERSK”, e cila kishte marrë përsipër transportin e tyre drejt Tajlandës me ngarkesë totale 800 ton. Sipas informacioneve paraprake, në fillim të muajit korrik 41 kontenierë të kompanisë MSC janë ngarkuar në anijen “Contship Voë”, e cila disa ditë më vonë i ka shkarkuar në portin e Triestes te anija Maersk Campton.

Nga verifikimet paraprake, të dyja anijet “MAERSK” rezultonin në pronësi të kompanisë “Zodiac Maritime”. Fillimisht “Vetting” kontaktoi “Zodiac Maritime”, e cila deklaroi se këto anije përdoren nga kjo e fundit, por që në këtë rast ishin nënkontraktuar nga “MAERSK”.

Në kthim-përgjigje për “Vetting”, përfaqësuesi i zyrës së shtypit të “MAERSK”, Pavl Rasmussen deklaroi se përsa i përket rastit në fjalë ka informacione të pasakta të shpërndara në media.

Për “Vetting”, Rasmussen deklaroi se dy anijet janë të marra me qira, që do të thotë se nuk janë në pronësi të kompanisë “Maersk”, por anijet janë regjistruar në flotën tonë që u shërben klientëve tanë.

“Për çdo informacion shtesë në lidhje me kontenierët, unë do t’i referohem kompanisë “MSC”, të cilës ne po i mbajmë kontenierët në mungesë të saj”, tha Rasmussen në përgjigjen e tij me e-mail.

Arena e Lajmit

Zbulimi i Vetting/ 84 ngarkesa toksike u nxorën nga portet shqiptare gjatë 2 viteve të fundit. Drejtori ekzekutiv i BAN: Si i identifikuam kontenierët e nisur drejt Tajlandës

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook